Site icon Telegrafi

Pesë shtete pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar ‘YDF’ në Prishtinë

(Foto: basketbolli.com)

Nga 13 deri më 16 mars, në Prishtinë do të organizohet turneu në basketboll për Zhvillimin e Gjeneratave të Reja (YDF) të FIBA Evropës.

Në këtë turne do të marrin pjesë: Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Rumania dhe Bullgaria. Turneu do të jetë në të dyja konkurrencat për kategorinë U15. Pra, pesë shtete marrin pjesë me ekipet e djemve dhe vajzave.

Ndeshjet për katër ditë me radhë do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe palestrën “1 Tetori”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Turneu më parë ishte organizuar në Rumani, Bullgari dhe Maqedoninë Veriore, derisa pas Kosovës, do të organizohet në Turqi, gjatë qershorit të këtij viti.

Basketbollistët dhe basketbollistet e Kosovës do të mund të fitojnë përvojë nga ky turne dhe të jenë të gatshëm për Përfaqësueset e reja të Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës tash e katër vjet është pjesë e projektit të FIBA-s për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, por në vitin 2019, projekti ka filluar të implementohet edhe për vajza, gjë që shërben në dobi të zhvillimit të basketbollit në konkurrencën e femrave.

Exit mobile version