Për të festuar Ditën Botërore të Refugjatëve dhe për të krijuar një imazh të ri në lidhje me problemet dhe sfidat që ballafaqohen këta njerëz, Organizata Futbolli kundër Racizmi në Evropë ka elaboruar një formacion me futbollistët të cilët në të kaluarën kanë qenë refugjat ndërsa tani luajnë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, raporton kjo organizatë.
Një kombinim i jashtëzakonshëm i futbollistëve, që së bashku do të krijonin ndoshta një formacion ëndrrash, të udhëhequr nga futbollisti i Real Madrid-it, Luka Modric dhe nga pesë futbollistët shqiptar që emigruan nga lufta dhe regjimi serb.
Formacioni 1-3-5-2 fillon me Mandandan në portë i cili vjen në Francë pas luftës së ftohtë ndërmjet qytetarëve në Republikën Demokratike të Kongos. Në krahun e djathtë është i vendosur Corluka i cili me prejardhje është nga Bosnja dhe Hercegovina, por pas lindjes së konfliktit në këtë vend emigroi drejt Kroacisë.
Për arsye të njëjta nga Kosova u shpërngulën edhe familjet e pesë futbollistëve shqiptar që aktualisht luajnë për Shqipërinë dhe për Zvicrën. Lorik Cana, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Taulant Xhaka, patën fatin e qindra, mijëra njerëzve të cilët u larguan nga Kosova drejt shtetit helvet, pas dhunës dhe terrorit që po ushtronte populli serb ndaj shqiptarëve, shkruan gazetasheshi.
Për shkak të luftës ndaj serbëve kanë emigruar edhe Luka Modric nga Kroacia dhe Januzovic nga Bosnja dhe Hercegovina.
Repartin e sulmit e përbëjnë Kujovic i lindur në Malin e Zi dhe Benteke i ardhur refugjat nga Republika e Zaire-s.
Ky formacion pa asnjë dyshim do të ishte tejet konkurrues me ekipet tjera përfaqësuese në këtë eveniment madhështor.