Përgjithësisht kanceri i gjirit identifikohet me shfaqjen e gjëndrës, megjithatë janë disa shenja të tjera, zakonisht shfaqen para gjëndrës, të cilat paralajmërojnë kancer në gji.
– Shfaqen gropëza dhe lëkura irritohet: pas bllokimit të enëve limfatike në lëkurë, shfaqen gropëza tek gjiri që më vonë pasohen nga irritimi i lëkurës, ndjesi djegieje.
– Dhimbje e gjoksit: nëse keni dhimbje të vazhdueshme në zonën e gjoksit ose të thithkës, me përjashtim të rasteve si cikli menstrual, shtatzënia apo menopauza, atëherë tregoni kujdes pasi duhet të konsultoheni me specialistin.
– Ndryshime të përmasës së thithkës: duke qenë se po zhvillohet një masë kancerogjene, gjoksi në sipërfaqe pëson ndryshime ku një ndër to është edhe tërheqja e thithkës.
– Rrjedhje nga thithka: pavarësisht se jo gjithmonë paralajmëron kancer të gjirit, nëse vini re që zakonisht keni rrjedhje nga thithka (sidomos nëse ka gjak dhe shfaqet vetëm në njërin gji), duhet të vizitoni menjëherë mjekun.
– Ënjtje e gjithë gjirit ose një pjese të tij dhe ndryshime në ngjyrë ose formë: lëkura merr një ngjyrë tjetër, irritohet, ënjtet dhe shkakton dhimbje
Cilat gra janë të rrezikuara nga kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit mund të prekë çdo grua, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, megjithëse mund të preken edhe ato në moshë të re.
Faktorët që rrisin shanset për t’u prekur nga kanceri i gjirit:
– fillimi i hershëm i menstruacioneve
– shtatzënitë në moshë të madhe
– mbipesha pas menopauzës
– konsumimi i alkoolit dhe duhanit
– mungesa e aktivitetit fizik
– gjenetika (nëse ka patur paraardhës të prekur nga kjo sëmundje) etj.
Si zbulohet kanceri i gjirit?
1. Vetëkontrolli mujor i gjirit, i cili rekomandohet një herë në muaj duke filluar nga mosha 20 vjeç. Pas menstruacioneve, bëhen lëvizje rrotulluese me dorë duke kontrolluar gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullave.
2. Ekzaminimi klinik, kontrolli përmes personelit mjekësor, që këshillohet një herë në vit.
3. Mamografia, që duhet kryer me patjetër nga moshat 35-40 vjeç të paktën një herë në dy vite, kap kancerin në faza shumë të hershme. Këshillohet të kryhet kur gjinjtë nuk janë të fryrë dhe nuk dhembin.