Pesë persona, përfshirë tre adoleshentë, janë plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri të lidhur me trafikun e drogës në Francën perëndimore.
Dhuna shpërtheu para një restoranti në qytetin perëndimor të Poitiers dhe u shndërrua në një përleshje ku përfshiheshin deri në 600 persona, ka njoftuar Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau.
“Filloi me një shkëmbim zjarri në një restorant dhe përfundoi me një përleshje mes bandave rivale që përfshinin disa qindra njerëz”, tha Retailleau.
“Një djalë 15-vjeçar i plagosur është në gjendje kritike”, tha Retailleau.
Sipas policisë, djali ishte qëlluar në kokë dhe se dy adoleshentë të tjerë, të dy të moshës 16 vjeç janë në mesin e të plagosurve, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ministri i Brendshëm tha se Franca ishte në një “pikë kthese” kur bëhej fjalë për dhunën e lidhur me drogën.
Ai njoftoi se po planifikonte të udhëtonte më vonë gjatë ditës në veriperëndim të Rennes, në Brittany, ku një pesëvjeçar ishte i sëmurë rëndë pasi u qëllua të shtunën e kaluar.
Ndryshe, dhuna në Poitiers ndodhi në Place Coimbra, një zonë e njohur e trafikut të drogës.
Bëhet e ditur se dhuna nisi pas të shtënave nga disa persona në një veturë, të cilët më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.
Kur policia mbërriti, ata gjetën pesë persona me plagë plumbash dhe një duzinë vrima plumbash në pjesën e përparme të një lokali dhe u sulmuan nga të rinjtë vendas përpara se të shpërthente një përleshje masive.
Përfshirja dhe shënjestrimi i fëmijëve në dhunën e lidhur me trafikun e drogës ka tronditur Francën muajt e fundit.
Për shembull, një varg vrasjesh – një që përfshin një 15-vjeçar të djegur për së gjalli dhe një tjetër i kryer nga një vrasës me pagesë 14-vjeçar – shkaktoi bujë në qytetin jugor të Marsejës muajin e kaluar.
Në një incident të veçantë, tre persona u qëlluan në rajonin Valence në Francën juglindore të enjten mbrëma. /Telegrafi/