“Zemër” nga këngëtarja shqiptare, Dhurata Dora dhe artisti francez, Soolking, e lansuar në prill të këtij viti padyshim se ishte hiti i kësaj vere, i cili tejkaloi krejt pritshmëritë.
Kjo këngë tashmë është shndërruar në hit ndërkombëtar dhe si e tillë në kanalin zyrtar, YouTube, ka kaluar shifrën e 300 milionë klikimeve.
E lumtur për këtë sukses, zeshkania e ka ndarë lajmin e mrekullueshëm me fansat e saj në llogarinë personale, Instagram.
“Pas pesë muajve, 300 milionë klikime, koha për një këngë të re”, ka shkruar Dhurata krahas këtij postimi, e cila duket se do fillojë punën për një projekt tjetër.
Projekti u punua nga producenti Big Bang në shtëpinë e hiteve RedBox, kurse videoklipi u realizua nga MAX Production.
Ndërkohë, ky cilësohet të jetë një nga sukseset më të mëdha të artistes Dora në karrierën e saj, gjë që bën të njihet edhe në arenën ndërkombëtare.
Në vazhdim presim të shohim se çfarë do na sjellë Dhurata për të gjithë fansat e saj, të cilët e përcjellin kudo dhe tashmë është emër shumë i pëlqyer gjithandej. /Telegrafi/