Familja Haliti nga Livoçi i Epërm i Gjilanit kishte 5 muaj që jetonte pa energji elektrike. Kryefamiljari Jeton Haliti, ka bërë të ditur se pavarësisht kërkesave, KEDS nuk ka intervenuar asnjëherë. Mirëpo, pas raportimit të “Zyrës së Ankesave”, kësaj familjeje iu zgjidh problem.
Në një shtëpi në Livoç të Epërm të Gjilanit, e cila u ndërtua nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”, banon Jeton Haliti me 5 anëtarë. Por përkundër që i’u sigurua strehimi, familja Haliti qëndroi plot 5 muaj pa energji elektrike.
“Jetoj vet i gjashti në këtë shtëpi. Kam katër fëmijë dhe shoqen. Jam pesë muaj pa energji elektrike”, kishte deklaruar për RTV Dukagjinin, Faton Haliti.
Mirëpo, menjëherë pas raportimit në Zyrën e Ankesave. Një shikues nga Peja vullnetarisht ofroi ndihmë për ta ndihmuar këtë familje me një kabllo.
“Përshëndetje jam nga Peja. Kam thirrur për punën e kabllës. Le të llogaritë sa kushton dhe mundet me shkua në Gjilan, unë i tregoj ku t’i merr paratë”, kishte deklaruar dëgjuesi.
E pas marrjes së të hollave, ekipi shkoi për të blerë kabllon, prej ku u ofrua edhe ndihmë shtesë.
“Ne kemi dëgjuar për rastin e bamirësisë, dhe kemi shprehur dëshirën që edhe ne të japim një kontribut për këtë familje. Po ashtu edhe mjeshtrin e rrymës do të dërgojmë ne”, deklaroi Patrik Maliqi nga Elektro Stublla.
Skënder Ramadani, fqinji i familjes i cili edhe e lajmëroi rastin në RTV Dukagjini, mori përsipër që ta furnizonte këtë familje me rrymë përkohësisht nga shtëpia e tij.
Por, pas kontaktit të vazhdueshëm të ekipit të RTV Dukagjinit me KEDS-in, ekipi i tyre u dërgua në vendin e ngjarjes.
Me të përfunduar vendosja e shtyllave dhe instalimi i rrjetit elektrik, gëzimi në familjen Haliti ishte i pashmangshëm.
“Allahu i shpërbleftë me të gjitha të mirat, të gjithë donatorët që na kanë ndihmuar në këtë rast e na kanë gëzuar me fëmijë e familje”, deklaroi Jeton Haliti.
“Donatorët Allahu i shpërbleftë me të gjitha të mirat”, deklaroi Avdie Haliti.
Rregullimi të problemit iu gëzua edhe fqinji, Skënder Ramadani.
Megjithatë, familja Haliti përballet edhe me kushte të rënda ekonomike./ShpresaMusliu/RTV Dukagjini/