Sipas statistikave, prej të gjithë çifteve që përpiqen të krijojnë fëmijë, vetëm 30% arrijnë të mbesin shtatzënë brenda ciklit të parë, 85% brenda 12 muajve dhe tjerëve iu nevojiten disa vite dhe ndoshta ndërhyrje mjekësore për të mbetur shtatzënë.
Dhe, thuajse çdo grua që pret të bëhet nënë, pavarësisht sa gjatë i nevojitet për të mbetur shtatzënë, lexon çdo gjë rreth shtatzënisë për t’u siguruar për mirëqenien e bebes, transmeton Telegrafi.
Fatkeqësisht, për momentin ka shumë informacione të rrejshme dhe të pasakta në internet, të cilat shpeshherë mund të jenë edhe të dëmshme.
Më poshtë i keni mitet më të zakonshme rreth shtatzënisë:
Miti 1: Ijët e gjëra e lehtësojnë lindjen
Faktikisht ijët nuk kanë të bëjnë asgjë me kanalin e lindjes. Është forma dhe madhësia e vrimës në mesin e komblikut ajo që ka rëndësi.
Miti 2: Forma dhe madhësia e barkut tregon se a do të jetë bebja vajzë apo djalë
Kjo do të ishte shumë metodë e mirë për ta identifikuar gjininë e bebes, por fatkeqësisht nuk është kaq e thjeshtë. Ka dy gjëra që mund të ndikojnë në formën dhe madhësinë e barkut së gruas shtatzënë: madhësia e fetusit dhe pozita e bebes në mitër.
Miti 3: Ultrazërat e shpeshtë janë të dëmshëm për beben
Nuk ka ndonjë dëshmi shkencore që thotë se ultrazërat e bërë siç duhet mund ta dëmtojnë nënën apo beben e pa lindur. Ultrazëri nuk ka rrezatim, por vetëm valë të zërit me frekuencë të lartë, ndonëse intensiteti i këtyre valëve është shumë i ulët.
Miti 4: Nuk mund të vraponi gjatë shtatzënisë
Shtatzënia nuk nënkupton se duhet të hiqni dorë nga vrapimi. Nëse një femër ka shtatzëni të pa komplikuar, është e sigurt dhe e shëndetshme për atë që të vrapojë gjatë tërë shtatzënisë. Sidoqoftë, ju duhet ta shmangni vrapimin nëse keni shtypje të lartë të gjakut, nëse nuk keni vrapuar më herët, etj.
Miti 5: Është në rregull nëse konsumoni alkool herë pas here
Kur një grua shtatzënë e konsumon një gotë verë apo birrë, të njëjtën gjë e bën edhe bebja e vet. Alkooli mund të kalojë lirshëm përgjatë placentës. Konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë e rritë rrezikun se bebja do të lindë me defekte fizike apo mendore dhe kjo është e dëshmuar shkencërisht. /Telegrafi/