Bletari Michael Barber u zgjua të mërkurën nga thirrjet e policisë, që kërkonin ndihmë pasi kosheret me pesë milionë bletë ranë nga një kamion në Kanada.
Kosheret e bletëve po transportoheshin me kamion, ndërsa ngjarja ka ndodhur pasi rripat që i mbanin pa lëvizur janë liruar dhe kanë rënë në rrugë.
Kur Barber mbërriti në vendin e ngjarjes, pa “një re bletësh që ishin shumë të zemëruara dhe të hutuara”, transmeton Telegrafi.
Shoferët e veturave që ndodheshin pranë kamionit, si dhe këmbësorët janë paralajmëruar të largohen.
Pas skenës në Burlington, Ontario, Barber tha se nuk kishte parë kurrë diçka të tillë në jetën e tij dhe se ka 11 vjet që merret me bletari.
“Ka qenë diçka e veçantë. Shpresoj të mos përsëritet”, tha ai për BBC.
Kosheret ishin shpërndarë në një rreze prej 400 metra, e pas disa orëve, shumica e bletëve u rikthyen në to.
Megjithatë, disa qindra bletë nuk mbijetuan, e disa bletarë që ndihmuan policinë janë pickuar shumë herë.
Shoferi i kamionit është pickuar mbi 100 herë, pasi nuk kishte të veshura rrobat speciale të bletarëve. /Telegrafi/