Pesë marinsat e zhdukur janë konfirmuar të vdekur më shumë se 24 orë pasi helikopteri i tyre u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor, tha të enjten Korpusi i Marinës së SHBA-së.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, marinsat ishin raportuar të zhdukur kur helikopteri i tyre CH-53E Super Stallion u “raportua i vonuar” të martën në mbrëmje.
Helikopteri u nis nga Baza e Forcave Ajrore Creech pranë Las Vegas dhe ishte rrugës për në Miramar, në zonën e San Diegos.
Marinsat filluan një kërkim dhe kërkuan ndihmë nga Departamenti i Sherifit të Qarkut San Diego dhe Patrulla Ajrore Civile.
Departamenti i Sherifit tha se mori një telefonatë në orën 1:50 të mëngjesit dhe dërgoi helikopterin e vet për kërkim, por helikopteri nuk ishte në gjendje të arrinte në zonë për shkak të stuhisë që goditi rajonin.
Departamenti i Sherifit tha se më pas dërgoi automjete për terrene të vështira.
Marinsat thanë se helikopteri u zbulua në orën 9:08 të mëngjesit të së mërkurës.
Përpjekjet po vazhdojnë për të gjetur trupat e pesë viktimave, thanë marinsat të enjten dhe një hetim është duke u zhvilluar. /Telegrafi/