Pesë ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) kanë dorëzuar kërkesë për apanazhë në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa tre prej tyre janë kthyer në vendet e tyre të punës.
Kërkesë për apanazhë sipas AIM kanë dorëzuar, Aleksandër Çiçakovski, Igor Milev, Violeta Duma nga LSDM, Subhi Jakupi nga BDI dhe Silvana Boneva nga OBRM-PDUKM, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Apanazhi për anëtarët duhet të jetë për një vit, duke pasur parasysh se mandati i kësaj përbërje ka qenë më shumë se dy vite, ndërsa mjetet do t’u jepen në vlerë të rrogës së tyre mujore.
Në vendet e punës në Kuvend janë kthyer ish-anëtari i KSHZ-së, Rexhep Prokupica, Atanas Urumov dhe Sasho Srcev.
KSHZ numëronte nëntë anëtarë, ndërsa dorëheqje nuk ka dhënë vetëm Ermira Asani Salija, e cila ishte propozuar nga Lëvizja Besa, si zëvendësim i Bedredin Ibraimit të PDSH-së./Telegrafi/