Site icon Telegrafi

Pesë gola dhe dy kartonë të kuq – PSG eliminon Barcelonën nga Liga e Kampionëve

Paris Saint-Germain e ka eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 6-4, për të kaluar në gjysmëfinale.

Skuadra katalunase e nisi ndeshjen më mirë, duke sulmuar qysh nga fillimi, por që as parisienët nuk u tërhoqën.

Nga loja e hapur, pas vetëm 12 mintuash lojë, Lamine Yamal e gjeti për mrekulli Raphinhan brenda zonës, me këtë të fundit që e futi me lehtësi topin në rrjetë.

Por, Barcelona mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, kur Ronald Araujo bëri një ndërhyrje të pamenduar mirë.

Mbeojtësi uruguaian kapi Bradley Barcolan para zonës së rreptësisë në minutën e 29-të, ndërsa gjyqtari e ndëshkoi direkt me karton të kuq.

Xavi u detyrua të largonte nga loja Yamalin në minutën e 34-të, duke inkuadruar Inigo Martinez në mbrojtje.

PSG ka sulmuar me të gjitha forcat në minutat e mbetur të pjesës së parë, ndërsa ia doli të barazonte shifrat në 1-1 në minutën e 40-të me anë të ish-lojtarit të Barcelonës, Ousmane Dembele.

Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët, që shënuan për 2-1 me anë të Vitinhas, që realizoi në minutën e 54-të.

Pas vetëm dy minutash, për shkak të protestave, Xavi u ndëshkua direkt me karton të kuq, për t’u larguar nga bankina e katalunasëve.

Për më keq në anën e Barcelonës, PSG fitoi një penallti, të cilën në gol e konvertoi Kylian Mbappe (61’) për rezultatin 3-1.

Mysafirët nuk u ndalën me kaq, pasi shënuan edhe të katërtin, sërish me anë të Mbappes (89′), për rezultatin 4-1 dhe atë të përgjithshëm 6-4

Në gjysmëfinale, PSG do të përballet me Borussia Dortmundin, që eliminoi Atletico Madridin. /Telegrafi/

Exit mobile version