SHBA dhe liderë të tjerë botërorë po këmbëngulin sërish në arritjen e një marrëveshjeje të armëpushimit dhe lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza, pas vdekjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Ky i fundit, që besohej nga Izraeli të ishte arkitekti kryesor i sulmit të 7 tetorit, u vra gjatë një operacioni në Rripin e Gazës, tha ushtria izraelite.
Hamasi ende nuk ka komentuar vrasjen e 62-vjeçarit, shkruan cnn.
Lideri i Hamasit, Yahya Sinwar, i cili besohet të jetë një nga arkitektët e sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 dhe njeriu më i kërkuar nga Izraeli, u vra në Gaza të mërkurën, sipas ushtrisë izraelite.
Pesë gjëra që duhet të dini për Sinwarin
1. Sinwar lindi në një kamp refugjatësh në vitin 1962 në Khan Younis, në jug të Gazës. Familja e tij u shpërngul nga fshati palestinez Al-Majdal – tani qyteti izraelit Ashkelon – gjatë luftës arabo-izraelite.
2. Ai iu bashkua Hamasit në fund të viteve 1980 dhe u ngjit shpejt në radhët e tij. Ai themeloi degën e inteligjencës ndërkombëtare të sigurisë së Hamasit, Majd. Ai gjithashtu shihej nga disa si një udhëheqës politik pragmatik: Në vitin 2017, Hamasi zgjodhi Sinwarin si shefin politik të organit kryesor vendimmarrës, Byrosë Politike, në Gaza. Si udhëheqës politik i grupit, Sinwar u përqendrua në marrëdhëniet e jashtme të grupit, duke krijuar lidhje të rëndësishme me fuqitë arabe rajonale. Në muajin gusht, Sinwar u bë një nga udhëheqësit më të lartë të Hamasit pasi paraardhësi i tij, Ismail Haniyeh u vra në kryeqytetin iranian, Teheran.
3. Sinwar u burgos në Izrael pasi mori katër dënime të përjetshme në vitin 1988. Ai tha se kaloi vitet në burg duke studiuar armikun e tij, përfshirë mësimin e gjuhës hebraike përmes Universitetit të Hapur. Në vitin 2011, ai u lirua si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
4. Në vitin 2015, Sinwar u cilësua si terrorist global nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian. Në vitet e fundit, ai është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
5. Në vitin 2018, nën drejtimin e Sinwarit, Hamasi nisi fushatën, “Marshi i Kthimit”, ku banorët e Gazës protestuan çdo javë pranë kufirit izraelit, duke kërkuar që Izraeli të heqë bllokadën e tyre dhe t’u japë palestinezëve të drejtën për t’u kthyer në fshatrat dhe qytetet e tyre stërgjyshore.
Në një intervistë të rrallë me një gazetar italian në vitin 2018, Sinwar shprehu gatishmërinë e Hamasit për të gjetur një zgjidhje politike, duke thënë se “një luftë e re nuk është në interesin e askujt”. /Telegrafi/