Punëtorëve shëndetësorë në Ambulancat e Mjekësisë Familjare në disa fshatra të Ferizajt u ka skaduar kontrata që kanë pasur me “Caritas Kosova”, dhe si rrjedhojë janë mbyllur Ambulancat e Mjekësisë Familjare dhe banorët kanë mbetur pa shërbime.
Ambulanca e Mjekësisë Familjare janë mbyllur në Varosh, Gaçkë, Talinovc, Llojzë dhe Mirash.
Mungesa e stafit shëndetësor, bëri që në mesin e pesë fshatrave ku janë mbyllur ambulancat të jetë edhe fshati Gaçkë.
Ani pse fshati Gaçkë i Ferizajt ka mbi 2000 banorë, tani nuk kanë një vend ku të drejtohen për të marrë shërbime shëndetësore.
Krejt kjo situatë është krijuar, pasi që punëtorët shëndetësor që punonin me kontrata nga “Caritas Kosova”, ju ka skaduar kontrata. Derisa një kontratë e re mes komunës së Ferizajt dhe kësaj organizate nuk është renovuar.
Tashmë 240 punëtorët të cilët punonin në lokacione të ndryshme janë larguar nga puna. Pamundësia e marrjes së shërbimeve mjekësore në këtë ambulant, shihet problematike për banorët e këtij fshati.
Shaqir Sejdiu banor i këtij fshati ka thënë për Telegrafin se shpesh herë nuk mund të marrin shërbime as në qendrën kryesore për shkak që nuk i pranojnë me arsyetimin se duhet të drejtohen në ambulancën e mjekësisë familjare në Gaçkë.
“Kjo ambulant ka datu shumë herët, ka qenë e vjetër e kemi ba të re. Ka punu vazhdimisht, ka shërby për gjithçka ka qenë mjeku i përgjithshëm, motra medicionale, ka shërby për vaksinimin e fëmijëve të moshuarve për gjithçka, për lidhjen e ndonjë plage të vogël. Fshati jonë ka 450 shtëpi, ka mjaft shumë banorë. Tash masi u ba mbyllja e kësaj ambulante detyrohemi me shku në fshatin Greme ose në qytet aty shpesh s’po na pranojnë po thonë e keni ambulantën e juaj. Kjo u mbyll për shkak të mungesës së punëtorëve”.
Në anën tjetër, drejtori udhëheqësi i sektorit në “Caritas Kosova”, Pal Baftija, tha se me këtë kontratë kanë qenë të angazhuar rreth 300 punëtorë, të cilët tashmë janë pa punë.
“Në këtë kontratë kanë qenë të kontraktuar rreth 300 punëtorë, kryesisht të profileve mjekësorë mjekë infermierë, laborantë, të cilët ofronin shërbime në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ferizaj”.
Derisa e shqetësuar me këtë situatë është drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ajo tha se mungesa e këtyre punëtorëve ka shtuar punën e QKMF-së.
“Në QMF janë tu punu stafi komplet mirëpo me një staf minimal të infermierëve, me një kapacitet minimal të themi në mungesë të infermierëve…”
Ndërkaq, nga Komuna e Ferizajt thonë se janë duke u konsultuar për gjetjen e një zgjidhjeje për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Lidhur me këtë ka folur zëdhënësi i kësaj komune, Selim Marevci.
“Rrezikohen shumë AMF sidomos të pjesës rurale të Ferizajt të mbyllen dhe gjithashtu pjesë qendrore të Ferizajt mund të rrezikojnë që mos të ketë orar 12 orësh por vetëm 8 orë. Jemi duke diskutuar me kryetarin e komunës, edhe me drejtorin e Shëndetësisë, për ndonjë solucion dhe çfarë mund të bëjmë për rritjen e stafit shtesë”.
Telegrafi ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë problem të kësaj komune.
Të njëjtin kanë kthyer përgjigje duke thënë se organizimi i nivelit parësor shëndetësor është kompetencë e komunave, jo e tyre.
“Organizimi dhe funksionimi i nivelit parësor shëndetësor është në kompetencën e Komunave. Bazuar në rregullat, procedurat, parimet dhe standardet e përcaktuara, Komunat duhet të planifikojnë dhe paraqesin të organet kompetente nevojat e planifikimit të personelit shëndetësor, te Qeveria (Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave) të cilat nevoja pasqyrohen në Grantin Specifik për Shëndetësi”, thuhet në përgjigje. /Arbenita Ilazi/