Eliminimi i Paris Saint-Germainit nga Liga e Kampionëve është shoqëruar me kritika të shumta nga tifozët kundrejt trajnerit Unai Emery dhe disa prej futbollistëve kryesore të skuadrës.
Ekipi francez pësoi me rezultat 2-1 në Parc de Princes nga Real Madridi dhe u eliminua me rezultat të përgjithshëm prej 5-2. Ky eliminim i hershëm vjen përkundër investimeve të mëdha që ka bërë klubi në transferimin e lojtarëve.
Unai Emery
Unai Emery ishte angazhuar nga PSG-ja për të arritur sukses në Ligën e Kampionëve dhe ai ishte i vetëdijshëm se eliminimi nga Real Madridi do të thoshte largim për të nga posti i trajnerit.
Me zëvendësimin e Kylian Mbappe me Lassana Diarra, ai tregoi inferioritet në lojë, ndërsa angazhimi i Dani Alvesit në fazën ofensive, u tregua po ashtu një gabim i trajnerit.
Marco Verratti
Marco Veratti konsiderohet truri i PSG-së dhe ai ishte lojtari që duhej ta impononte ritmin e lojës. Mirëpo, u anashkalua nga kundërshtarët e tij dhe nuk mund ta menaxhonte topin në fazën e finale.
Për më shumë, ai pranoi dy kartonë të verdhë dhe u përjashtua nga loja në minutën e 66-të, pak minuta pasi Cristiano Ronaldo kishte shënuar gol.
Dani Alves
Ai sulmonte nga krahu i djathtë dhe nuk hezitonte që ta mbante topin, mirëpo gabimet në fazën e mbrojtjes bënë që PSG të ndëshkohej.
Gjatë ndeshjes në Santiago Bernabeu, ai ishte dërguar përpara dhe nuk i kryente obligimet në fazën defensive. Veprimet e tilla i kanë kushtuar skuadrës së tij.
Edinson Cavani
Golashënuesi më i mirë i PSG-së nuk arriti të luante ashtu si bën zakonisht dhe nuk pati ndikimin e nevojshëm në rrjedhën e lojës, duke qenë se nuk i shkaktonte probleme dyshes mbrojtëse të Los Blancos, Sergio Ramos dhe Raphael Varane.
Ai ishte i përfshirë në disa raste gjatë lojës, mirëpo nuk ia doli që ta mbulonte zonën e tij në mungesë të Neymarit. Ishte një mundësi e humbur e uruguaianit që të tregonte se ai ishte kryesori te Parisi.
Kylian Mbappe
Anësori i rrezikshëm nuk e tregoi potencialin e tij dhe nuk pati ndonjë ndikim në lojë. Ai e nisi ndeshjen në krahun e majtë, pastaj kaloi në të djathtin, mirëpo dështoi në të dyja anët.
Mbappe nuk kishte ritmin e duhur dhe nuk e tregoi cilësinë që duhet ta ketë një lojtar që ka kushtuar mbi 180 milionë euro. Në fakt, Marcelo e mbajti 19-vjeçarin të heshtur. /Telegrafi/