Site icon Telegrafi

Pesë Evropat

“I pezullt në një të shkuar të zhvendosur”, kështu historian Gian Enrico Rusconi ka përshkruar kalimin e Breneros në ditët e vendimit austriak për të rindërtuar kufirin fizik me Italinë, një akt që, sipas Rusconit, “thyen gjeografinë dhe historinë e viteve të fundit”.

Gjeopolitika që merret saktësisht me ndërthurjen midis gjeografisë dhe historisë mëson se, në ngjarjet politike prishjet mbizotërojnë shpesh mbi vijimësitë dhe se e shkuara rri varur gjithnjë mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Një shembull: gjatë 47 viteve të ekzistencës së Jugosllavisë së dytë (1945-1992), ndryshimet midis serbëve, kroatëve, sllovenëve, boshnjakëve etj., dukeshin përfundimisht të avulluara, aq sa, në Bosnjë, nëntë familje nga dhjetë ishin të formuara nga çifte të përziera. Në 1992-in, papritur, lufta civile rifilloi atje ku ishte ndalur në 1945-n, aq sa dy armiqtë kryesorë rimorën madje emrat e atëhershëm: çetnikët serbë kundër ustashëve kroatë.

Atëherë u zbulua se Jugosllavia kishte qenë, për 47 vjet, “e pezullt në një të shkuar të zhvendosur”: në atë të kufirit midis Perandorisë romake të Lindjes dhe të Perëndimit, të fiksuar përfundimisht mbi lumin Drin në vitin 395, dhe të bërë pastaj, përgjatë historisë, kufi midis krishterimit latin dhe krishterimit grek, pastaj midis Perandorisë së Shenjtë Romake dhe Perandorisë Bizantine, pastaj midis Austrisë dhe Turqisë otomane dhe, në fund, midis Kroacisë dhe Serbisë. Një nga shembujt më të qartë të asaj që historiani francez, Fernand Braudel, e quajti longue duree, rishfaqjen pas dhjetëravjeçarësh, shekujsh e madje mijëvjeçarësh të fenomeneve historike “të pezullta në një të shkuar të zhvendosur”.

Kufiri mbi Drin dhe aim bi Brenero janë vetëm dy prej kufijve të brendshëm evropianë të shënuar nga vula e longue duree-së. Para se nisma e kohëve të fundit austriake ta thyente “gjeografinë dhe historinë e viteve të fundit”, projekti evropian kishte lindur pikërisht me qëllimin për t’u çliruar përfundimisht nga zinxhirët e longue duree-së, siç ishte rrekur të bënte, në kohën e tij, Josip Broz Titoja, arkitekti i Jugosllavisë së dytë. Më 1992, tërmeti gjeopolitik i provokuar nga shembja e Murit të Berlinit ktheu pllakat kroate dhe sllovene në shtratin e tyre historik gjermanik; sot, tërmeti i provokuar nga eksodi i miliona refugjatëve dhe emigrantëve hap të çara të thella në ndërtesën evropiane dhe i hap pikërisht atje ku arkitektët e saj ishin përpjekur të mbushnin frakturat e së shkuarës.

Disa prej atyre frakturave janë dalluar nga studiuesi amerikan, Robert Kaplan, në librin e tij “The revenge of Geography”, të vitit 2012. Në atë tekst, Kaplani sugjeronte pesë zona evropiane me personalitet historik dhe gjeografik të dalluar që projekti i integrimit po përpiqej t’ia dorëzonte përfundimisht së shkuarës.

E para, edhe në rend kronologjik ishte Evropa mesdhetare, ajo njësi e përnjëmendtë kontinentale e krijuar nga brigjet e “detit të brendshëm” nga tregtitë dhe nga zaptimet e Fenikasve, Grekëve, Romakëve. Perandoria e këtyre të fundit, është e vërtetë, u shtri në thellësi edhe në hinterland, por bërthama e saj politike e qëndrueshme (provincat senatore) mbeti e ankoruar në det: Italia, Greqia gadishullore anadolliane dhe Afrika e Veriut.

Në kapërcyell të Mesdheut Lindor, por më e orientuar drejt kontrollit të baseneve të tjera të lundrimit (Deti Marmara, Deti i Zi, Danubi) ishte Evropa bizantine-otomane, më jetëgjata, me më shumë se 1500 vitet e saj të historisë. Në zemrën e saj – Kostandinopojë – dhe në shtrirjen e saj, Perandoria turke myslimane paraqiti vijimësinë e Perandorisë greke të krishterë, në një shembull tjetër të qartë të longue duree-së braudeliane. Pasi ndryshoi emri i kryeqytetit në Stamboll, sulltani zgjodhi të adoptonte, midis titujve të tij, edhe atë të Kaysar-i-Rum-it, perandor romak.

Superioriteti i frangëve mbi popujt e tjerë gjermanikë është në origjinë të asaj që Kaplani e quan Evropa karolinxhe, e romanizuar dhe e shenjtëruar (dhe më pas shpesh e luftuar) nga Papati. Një Evropë e shtrirë midis Detit të Veriut dhe Mesdheut, e bazuar në luginën e Renit dhe në një sërë basenesh të tjera lumore – Luarën, Senën, Rodanon, Mozan, Emsin, Elbën, Ponë dhe, natyrisht, në rrjedhën e lartë të Danubit.

Përreth Baltikut mori trup, në një marshim të gjatë përmes shekujve, Evropa prusiane, trashëgimtare e zaptimeve të kalorësve teutonikë, por bëhet entitet i fortë politik vetëm pasi bashkohet me Brandeburgun margraf (tashëm markë karolinxhe), me kryeqytet Berlinin, në fillim të shtatëqindës. Përreth Prusisë tashmë të berlinizuar u agregua në rrjedhën e tetëqindës – Gjermania.

Evropa asburgjike është një sediment historik më i vonë, i lindur në të pesëqindën përreth Vjenës, në konkurrencë me Perandorinë otomane për kontrollin e luginës së Danubit, dhe i shtrirë në Bosnjë, Moravi, Galici, Poloninë Jugore, Kroaci, Slloveni, Hungari dhe fushën e Posë.

Secila prej këtyre pesë Evropave ka pasur historinë e saj të veçantë, bërthamën e saj, linjat e saj të ekspansionit dhe sferat e ndikimit. Ajo ndërthurje e gjatë dhe komplekse e historisë dhe gjeografisë ka lënë gjurmë që aventura ende shumë e shkurtër e Bashkimit Evropian sigurisht që nuk mund t’i ketë fshirë. Çdo vend evropian mban me vete të paktën një pjesë të atij bagazhi; disa vende mbajnë më shumë se një. Dhe, disa bagazhe i mbivendosen njëri-tjetrit: Lombardo-Veneto, për shembull, ka qenë pjesë e Evropës karolinxhe dhe e Evropës asburgjike, por edhe e Evropës mesdhetare; shumë prej tensioneve që e kanë përshkuar dhe e përshkojnë ende mund të çohen në atë trashëgimi të trefishtë dhe kontradiktore.

Franca lindi nga bashkimi i përbërësve të saj karolinxh dhe mesdhetar, dhe ndërtoi përreth tyre dy linja ekspansioni shpesh të papajtueshme dhe gjithnjë alternative. Në kontinent, dimensioni karolinxh francez është përplasur, për një mijë vjet, me dimensionin karolinxh gjermanik, duke përbërë boshtin e asaj që historianët e kanë quajtur “lufta civile evropiane”. Në fund të asaj lufte, komuniteti i ngritur përreth Francës, Gjermanisë, Beneluksit dhe Italisë shënoi ribashkimin e hapësirës karolinxhe, duke i dhënë projektit të integrimit kontinental një koherencë të tijën historike dhe gjeopolitike. Nga ana tjetër, më 1945, një pjesë e madhe e tri Evropave të tjera të dalluara nga Kaplani (prusiania, asburgjikja dhe bizantino-otomania) kishte përfunduar nën thundrën ruse.

Në lidhje me asetet e pasluftës, ka nga ata që kanë pohuar se ndarja në tri pjesë e Gjermanisë – në perëndimore, lindore dhe Austri – kishte shumë më tepër kuptim gjeopolitik sesa duket në shikim të parë. Pasi u shkrinë nga hybris-i hitlerian, ato tri pjesë do t’i ktheheshin në fakt identitetit të tyre më të pastër historik: lumi Elbë do të ndante sërish Evropën karolinxhe katolike nga ajo prusiane protestante, dhe në zemrën asburgjike do të njihej të qenët dorëjashtë ndaj mitit pangjermanik.

Ai i Kaplanit është natyrisht vetëm një përshkrim. Dhe përshkrimi, për të, është e kundërta e parashkrimit: që nga nëntitulli – Beteja kundër fatit – studiuesi amerikan e kishte për zemër të bënte të ditur se është para së gjithash njohja e një fenomeni siç është ai (dhe jo siç do të donim të ishte) që lejon t’i shmangemi fatalizmit. Pikërisht Gjermania është një vërtetim i kësaj: kombinimi (i imponuar në 1815 në Kongresin e Vjenës) midis Prusisë aristokratike, ushtarake, protestante dhe tërësisht me ekspansion në lindje dhe Renania borgjeze, tregtare, katolike dhe thellësisht e rrënjosur në zemrën e saj karolinxhe ka qenë e paarsyeshme, por megjithatë bar çudibërës prej nga lindi, 56 vjet më vonë, Perandoria gjermane. Përkufizimi i një interesi kombëtar e nxori të gënjeshtërt papajtueshmërinë në dukje duke e shndërruar në plotësueshmëri.

Por, në tablonë e Kaplanit mungon një Evropë e gjashtë. Ndoshta sepse përputhshmëria e saj me pjesën tjetër të kontinentit është kaq problematike sa është sot, e varur në fillin e një referendumi. Bëhet fjalë, natyrisht, për Evropën britanike, përreth së cilës graviton një grup vendesh eurodyshues të Veriut jashtë euros, apo madje jashtë Bashkimit si Norvegjia dhe Islanda. Një komunitet dikur i mbledhur në Efta (zona e shkëmbimit të lirë alternative ndaj Tregut të përbashkët) dhe sot, përballë dobësimit të projektit evropian, sërish i paqetë. Një Evropë e gjashtë me pikëpyetjen që meriton të studiohet më nga afër në afrimin e referendumit të 23 qershorit.

Ndoshta një nga shkaqet e dobësimit në afat të mesëm të projektit evropian ka qenë urgjenca për të mbyllur një herë e mirë “luftën civile evropiane”, dhe për t’i dhënë një bazë ideologjike projektit të bashkimit. Ajo urgjencë i ka shtyrë arkitektët e saj të hedhin një vel harrese mbi lëniet e shtresëzimeve të mëpasshme historike – për të njëjtat arsye pse Jugosllavia e Titos duhej të themelohej mbi harresën e ustashëve dhe çetnikëve. Por, hakmarrja e gjeografisë është në pritë, dhe të shtiresh sikur e shpërfill është rruga më e drejtpërdrejtë për të mbetur i ngatërruar nga ajo që është “e pezullt në një të shkuar të zhvendosur”. /Përktheu: Adrian Beshaj/Gazeta Shqip/

Exit mobile version