Telegrafi

Pesë euro kalimi në Rrugën e Kombit

Nëse do të kalosh me makinë në Rrugën e Kombit, autostrada Durrës- Kukës, shumë shpejt, ndoshta vitin tjetër, do të duhet të paguash një tarifë prej 5 eurosh.
Kjo taksë që deri tani është në fazën e propozimit, por që me shumë gjasa do të miratohet, për ministrin e Infrastrukturës dhe të Transportit është e përballueshme.

“Është relativisht sa 3-4 litra naftë” tha ministri Edmond Haxhinasto i ftuar mbrëmjen e 28 tetorit në emisionin ‘Tonight Ilva Tare” në RTV Ora News.

“Besoj se do të jetë një kosto e përballueshme nëse do të kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohet në rrugë në rastin e realizimit të gjithë shërbimit të mirëmbajtjes,” nënvizoi ai duke shtuar se tenderi për dhënien me koncension të kësaj rruge do të bëhet brenda këtij viti.

Kjo ministri është në fazën e procesit të përgatitjes së një studimi për taksimin e rrugëve të Shqipërisë që e aplikojnë disa vende të rajonit.

“ Mendoj se janë mundësitë për të zbatuar këto taksime, flas për rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan. Do jemi shumë më të qartë pas studimit që përfundon pranverën e vitit që vjen” u shpreh Haxhinasto. /Telegarfi/