Telegrafi

Pesë dhoma gjumi dhe shtatë tualete, djali i ish-ministrit afgan të mbrojtjes blen vilë në Beverly Hills për 20.9 milionë dollarë

Daud Vardak, biznesmeni afgan dhe njëherit i biri i ish-ministrit afgan të Mbrojtjes, Abdul Rahim Vardak, ka blerë vilë luksoze prej 20.9 milionë dollarëve në Beverly Hills të Kalifornisë.

Siç raporton Yahoo.com, përvet pronës së lartpërmendur, Daud është pronar i një apartamenti luksoz në Miami Beach që i ka kushtuar 5.2 milionë dollarë, transmeton Telegrafi.

Shtëpinë në Beverly Hills e ka projektuar kompania lokale arkitektonike “Woods + Dangaran”, që e ndërtoi këtë vit në një hapësirë prej 9.000 metra katrorë.

Shtëpia e re ka muret e xhamit, ka pesë dhoma gjumi dhe shtatë tualete, enterieri është i punuar më finesë. Vetëm disa metra larg shtëpisë është e ndërtuar edhe pishina gjigante.

Vardak ka prejardhje pashtune, i lindur në Afganistan në vitin 1977, kurse në SHBA shkoi si refugjat. Për punët e tij dihet shumë, por një sërë raportimet tregojnë që është president i kompanisë AD Capital Group me seli në Miami.

Vëllai i tij i madh Hamed Vardak, që u diplomua në universitetin e Goergetown, gjithashtu është i suksesshëm në botën e biznesit dhe ka në pronësi kompaninë transportuese NCL Holdings.

Ndryshe, Abdul Rahim Vardak gjatë periudhës 2004-2015 ka qenë ministër i Mbrojtjes në qeverinë afgane që u përkrah nga Shtetet e Bashkuara.

Ai kishte rol të rëndësishëm në themelimin e ushtrisë nacionale të Afganistanit (ANA), që “ra” në gusht të këtij viti, pas ardhjes në pushtet të talebanëve që morën nën kontroll këtë vend. /Telegrafi/