Telegrafi

Pesë arsyet pse Xavi i tha ‘JO’ Barcelonës

Xavi Hernandez (Foto: Barrington Coombs/Getty Images/Guliver)

Legjenda spanjolle, Xavi Hernandez, e ka njoftuar Barcelonën se nuk do ta marrë drejtimin e skuadrës gjatë këtij janari.

Edhe pse e ka pranuar se është ëndërr e tij që të bëhet trajner i klubit, me të cilin fitoi gjithçka, trajneri aktual i Al Sadd e ka refuzuar ofertën për ta zënë tash vendin e Ernesto Valverdes.

Lexo po ashtu Drejtori sportiv i Al-Sadd konfirmon bisedimet, por Xavi ka refuzuar ta marrë drejtimin e Barcës në janar

Ndërsa Marca i ka sjellë pesë arsyet pse ish-mesfushori i Barcës vendosi të vepronte kështu:

Është i sigurt se puna është e tij

Ai e ka pasur luksin ta refuzojë ofertë, pasi që e di se herët ose vonë do të bëhet trajner i Barcelonës. Prandaj, dëshiron ta nisë një projekt nga fillimi dhe jo nga mesi i sezonit.

Respekti për Ernesto Valverden

Xavi e konsideron veten si njeri i futbollit dhe ka respekt për trajnerin aktual të Blaugranëve. Duke e ditur se është një post që do ta marrë në të ardhmen, ish-mesfushori mendon se nuk do të ishte e ndershme që t’ia merrte punën Valverdes në këtë mënyrë.

Xavi Hernandez (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

Respekti për Al Sadd

Klubi nga Katari ia ka dhënë mundësinë spanjollit që ta nisë karrierën si trajner, prandaj nuk dëshiron t’i prishë raportet me drejtuesit e Al Sadd. Kontrata e tij është valide deri në vitin 2021 dhe plani ka qenë që ta respektojë këtë kontratë dhe pastaj të bëhet trajner i përfaqësueses së Katarit. Sidoqoftë, mundësia që ta nisë punën si trajner i Barcelonës në qershor, do ta prishë këtë plan.

Përkushtimi ndaj lojtarëve të tij

39-vjeçari nuk dëshiron t’i lë në baltë lojtarët e tij, pasi të premten ekipi i tij e zhvillon finalen e Kupës së Katarit kundër ekipit më të fortë në atë vend, Al Duhail. Në këtë mënyrë, ai e ka edhe shansin ta fitojë trofeun e dytë, pas Superkupës që e fitoi bë verën e kaluar.

Detyrimi moral ndaj Victor Font

Xavi nuk ka marrëdhënie të këqija me presidentin aktual të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, mirëpo ai ka një përkushtim moral ndaj Victor Font, i cili është njëri prej kandidatëve për president të klubit. Zgjedhjet pritet të mbahen në vitin 2021 dhe deri atëherë, ai pritet të ketë nisur drejtimin e Barcës.

/Telegrafi/