Telegrafi

Pesë arsye pse duhet vizituar Vogova në Gjakovë

Në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri disa fshatra të Gjakovës marrin një pamje të bukur.

Këtë vit katolikë e myslimanë u bënë bashkë për të ndriçuar dhe rregulluar fshatin Vogovë të Gjakovës.

Ky fshat i komunës së Gjakovës u shndërrua në atraksion turistik, ku shumë qytetarë ia mësynë atij për të shijuar atmosferën festive që tashmë ka filluar.

Reporteri i Telegrafit Korab Basha ishte i pranishëm për të na treguar nga afër atmosferën që mbizotëron atje.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini dhe qytetarë të ndryshëm kanë treguar disa nga arsyet e shumta pse duhet vizituar ky vend në këtë periudhë kohore.

“Ka miliona arsye por unë po i përmendi pesë: natyra është fantastike, kemi trashëgiminë më të mirë kulturore e historike, ndoshta edhe në Ballkan, bashkëjetesa fetare më e mirë ndoshta në gjithë botën, derisa edhe dekorimi i vendit për Krishtlindja është më i miri ndoshta edhe në Ballkan e poashtu edhe njerëzit i kemi më të mirët”, ka deklaruar për Telegrafin, Ardian Gjini.

Derisa Patër Nue Kajtazi thotë se ndër arsyet më madhore pse duhet vizituar ky vend është se këtu festojnë bashkë shqiptarët e krishterë e mysliman.

“Vogovën duhet vizituar sepse është vendi më i bukur, sepse festojnë Krishtlindjet më së bukuri, festojnë bashkë shqiptarët mysliman e të krishterë, sepse shqiptarët kanë nevojë për dritë, e këtu është drita shenjë e dijes, sepse duhet të jetojmë në paqe e të festojmë në paqe”, ka deklaruar Patër Nue Kajtazi.

Atmosferën e jashtëzakonshme të këtij fshati e kanë vlerësuar lartë edhe figura të tjera nga shoqëria civile e bota akademia.

“Nga arsyet më të mëdha që duhet vizituar ky vend është se ndriçimi e mund errësirën. Pastaj është vend ku bashkohen të gjitha fetë që kanë shqiptarët”, deklaroi profesori Bedri Cahani.

Gazetari Milot Hasimja thotë se ky vend në dhjetorë jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Për atmosferën festive në Gjakovë kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare duke u mahnitur me përgatitjet e banorëve vendas./Telegrafi/