Site icon Telegrafi

Pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor ndaj të cilëve është propozuar interpelanca janë njoftuar zyrtarisht nga kreu i Kuvendit

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi i ka njoftuar anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Pavlina Crvenkovska, Selim Ademi dhe Tanja Çaçarova Ilievska se në Kuvend u është iniciuar interpelancë, shkruan Alsat.

Që të pestit, si anëtarë të këshillit janë zgjedhur nga Kuvendi. Tre prej tyre kanë mandat deri në fund të vitit 2025, një deri në vitin 2026 dhe një deri në vitin 2027.

“Lidhur me interpelancat e dorëzuara për anëtarët e Këshillit gjyqësor që i zgjedhë Kuvendi, duam të ju informojmë se të njëjtat janë dërguar deri te anëtarët e Këshillit Gjyqësor për të cilët ka të bëjë interpelanca. Procedura për interpelancë është e njëjta për të gjithë bartësit e funksioneve”, thonw nga Kuvendi.

Sipas Nenit 46 të rregullores së Kuvendit, subjekti kundër të cilit është ngritur interpelancë, ka të drejtë të dorëzojë përgjigje me shkrim deri te kryetari i Kuvendit, më së voni 15 ditë nga dita e pranimit të interpelancës. Pavarësisht nëse përgjigjet apo jo, neni 47 parasheh që pasi të kalojnë 15 ditë, interpelanca duhet të vendoset në rend dite në seancën e parë të radhës plenare. Sipas këtyre afateve, pritjet janë se seanca ku do të diskutohet për interpelancat, do të duhej të mbahet në fillim të muajit mars.

Meqenëse për interpelancat janë nënshkruar 67 deputetë, me këtë nënkuptohet edhe rezultati i votimit në seancë plenare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pesë anëtarët do të shkarkohen. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha se nuk mund t’i shkarkojnë me forcë anëtarët e këshillit.

Mund të mos japin dorëheqje edhe pas mosbesimit të votuar por lufta për ndryshime në sistemin gjyqësor do të vazhdojë përmes presionit publik, tha Mickoski. Interpelancat vijnë pasi Kuvendi nuk e miratoi raportin vjetor për punë të Këshillit Gjyqësor.

Në interpelancat e dorëzuara, thuhet se anëtarët nuk i kanë kryer deri në fund obligimet e tyre, nuk kanë qenë të kujdesshëm, gjegjësisht kanë rrënuar imazhin e gjykatësve dhe kanë rrënuar besueshmërinë e qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor dhe sistemit juridiko ligjvënës në tërësi.

Urgjenca për të ndërmarrë veprime kundër këshillit erdhi posaçërisht pas aksidentit ku humbin jetën 22 vjeçarja Frosina Kullakova. I dyshuari për shtypjen e saj me makinë nuk ishte dënuar brenda afateve racionale dhe me masa konkrete, gjë për të cilën opinioni dhe subjektet politike drejtojnë gishtin nga gjykatësja Daniella Aleksovska Stojanovska që i ka dhënë vendimin e shkallës së parë. Ndaj saj është ngritur procedurë për vërtetimin e përgjegjësisë.

Exit mobile version