Telegrafi

Pescara favorite për shërbimet e Ajetit

Skuadra e sapo ngjitur këtë vit në Serie A, Pescara, është favorite për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti.

Mediet italiane disa ditë më parë raportonin se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte shumë pranë kalimit te Bologna, por tani në skenë ka dalë sërish skuadra e sapo ngjitur në Serinë A, Pescara.

Është eksperti i merkatos italiane, gazetari Gianluca Di Marzio, i cili në faqen e tij ka shkruar se është Pescara ekipi që ndodhet më pranë Ajetit, madje drejtuesit e klubit ku luan edhe Ledian Memushaj, po përshpejtojnë për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen me mbrojtësin e kombëtares kuqezi.

Trajneri i Pescarës, Massimo Oddo i ka ndjekur me vëmendje paraqitjet e Ajetit gjatë sezonit të kaluar me Frosinonen dhe dëshiron ta ketë me çdo kusht në skuadrën e tij shtatlartin e prapavijës, pasi ndihet i impresionuar me formën e tij të shfaqur në Euro 2016.

Ky transferim shumë lehtë mund të ndodh, pasi vet mbrojtësi shqiptar para disa ditëve ka deklaruar se me shumë gjasë do të mbetet pjesë e kampionatit italian, Serie A. /Telegrafi/