Janë përzgjedhur 50 studentë që do të jenë pjesë e gjeneratës së IV-ë të KEDS Academy. Nga ky numër janë 30 nxënës të shkollave të mesme tenike, prej komunave të ndryshme të Kosovës dhe 20 studentë të Universitetit të Prishtinës, 18 prej tyre janë nga Fakulteti Tenik, drejtimi i inxhinierisë elektrike dhe dy nga Fakulteti Juridik.
Kriteret e përzgjedhjes edhe këtë vit ishin të larta dhe strikte. Qëllimi ishte i njëjtë, që në KEDS Akademë të marrin pjesë studentët më të mirë.
Gjatë vitit 2017 studentët e zgjedhur do të vijojnë mësimet në aftësim teorik dhe praktik që Akademia ofron. Tashmë kanë diplomuar 3 gjenerata të KEDS Academy, ku afro 150 të rinj janë përgatitur për tregun e punës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë punojnë edhe në sektorë të ndryshëm në KEDS, përderisa KEDS pretendon ta zgjerojë akademinë në partneritet edhe me kompanitë tjera.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së tretë, ka thënë se burimet njerëzore janë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit te energjisë në vend dhe për proceset nëpër të cilat po kalon modernizimi energjetik.
“Normalisht që për t’i avancuar këto procese dhe për ta bërë këtë transformimin të kompletuar neve na duhen burime njerëzore të përgatitura të afta dhe të shkathëta për t’i adresuar sfidat momentale të sektorit po sidomos sfidat e së ardhmes” , tha Stavileci.
Akademia e KEDS-it u themelua në vitin 2013, të njëjtin vit kur nisi edhe operimet kompania. KEDS financon tërësisht këtë program edukimi që nga rinia është parë me shumë interes.
KEDS Academy u themelua në partneritet me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetin Boğaziçi të Stambollit.
Edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka rritur intensitetin për krijimin e kushteve për praktikë të studentëve të KEDS Academy. Ministri Arsim Bajrami disa herë ka përmendur rëndësinë e këtij programi të edukimit.
“Ndiqeni shembullin e KEDS-it!”, ka qenë ftesa që Ministri u’ a bëri kompanive, edhe organizatave të ndryshme në Kosovë.
KEDS Academy, është programi më i rëndësishëm edukativ në Kosovë në sektorin e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatave, sa i përket shtrirjes dhe rëndësisë që ka. Akademia ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe 4 çmime ‘Stevie Awards’. /Telegrafi/