Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Stevo Temelkovski sot e hapi punëtorinë me temën ‘Përzgjedhje të lokacionit për objekt qendror për menaxhim me mbeturinat në rajonin planor Lindor dhe Verilindor’, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Punëtoria, siç kumtoi MMJPH-ja, është pjesë nga projekti ‘Përgatitje për dokumenta të nevojshme për vendosjen e sistemit të qëndrueshëm të integruar dhe të financuar për menaxhim me mbeturinat në rajonin Lindor dhe Verilindor’, i cili është i financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga konzorciumi i EPTISA dhe ELEM.
Zv. ministri Temelkovski thotë se punëtoria mbahet në fazën kur duhet të zgjedhen lokacione për deponitë rajonale. Ai bëri të ditur se, në fazën përfundimtare janë edhe planet rajonale në katër rajonet të cilat shkojnë me procedurë të njëjtë, si ai lindor dhe verilindor.
Udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim në delegacionin e BE-së në Shkup, Nicola Bertolini tha se qytetarët janë partneri më i rëndësishëm në këtë proces, por ata duhet të jenë të edukuar për këtë temë.
Sipas tij, mënyra se si e trajtojnë bërllogun është pjesë e arsimit tonë dhe procesi i tërë fillon me edukimin, duke theksuar se nuk duhet lejuar që vendi që duhet të bëhet anëtarë i BE-së, të mos ketë sistem për menaxhimin e mbeturinave.
Si lokacione të mundshme në rajonin lindor të vendit janë identifikuar deponitë në Shtip, Koçan, Sveti Nikole, Sheshinovë, Maja e zezë, Meçkuevca – Arbashinca dhe Istiban – Prelevec, kurse në rajonin verilindor janë identifikuar deponitë në Kumanovë, Kriva Pallankë, gurthyesi Nagoriçani i vjetër, gurthyesi Rankovci dhe K’shanje 1 dhe 2./Telegrafi/