Telegrafi

Përzgjedhësi i Spanjës, Enrique nga konferenca për shtyp: Njerëzit janë shumë të mirë, na kanë mirëpritur – Kosova ekip që di të sulmojë

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, ka thënë se ekipi i tij është pritur shumë mirë në Kosovë, ndërsa ka shtuar se ata kanë ardhur të luajnë futboll, e jo të merren me politikë.

Tekniku spanjoll e ka vlerësuar Kosovën si një ekip sulmues, ndërsa ndeshjen e së mërkurës e ka vlerësuar shumë të vështirë.

“Përshëndetje të gjithëve. Pikë së pari dua të them se është atmosferë e mirë, njerëzit janë shumë të mirë, na kanë mirëpritur. Ne nuk kemi probleme këtu, pasi kemi ardhur të luajmë futboll dhe nuk merremi me çështje politike”, ka thënë Enrique në konferencë për shtyp.

Luis Enrique (Foto: Selección Española de Fútbol)

Sipas ish-trajnerit të Barcelonës, Kosova luan futboll sulmues, për dallim nga ekipet e tjera kombëtare që janë në grup.

“Më pëlqen mënyra se si luan Kosova, është e ngjashme me ne, pasi mundohet të luajë në mënyrë sulmuese me topin në posedim. Dallon prej ekipeve tjera në grup, sepse sulmon dhe mbrohet mirë. Ne duhet të jemi të gatshëm, të përgatitur, sepse kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”

“Është vështirë të fitosh ndeshjet në këto kualifikime dhe të mërkurën do të jetë njëra prej ndeshjeve më të vështira në grup”.

“Nuk do të rrezikojmë dhe lojtarët që nuk mund të luajnë, nuk do të paraqiten kundër Kosovës. Kosova është ekip i guximshëm. Meriton më shumë pikë sesa që ka aktualisht në grup. Do të na vështirësojë shumë gjërat”, ka thënë Enrqiue.

Ndeshjen e parë Spanja e fitoi me rezultat 3-1, ku për Kosovën në arë ndeshje golin e kishte shënuar Besar Halimi nga rreth 40 metra. /Telegrafi/