Telegrafi

Përzgjedhësi i Kosovës U-20, Rodiqi: I kënaqur me përgatitjet, shpresojmë në paraqitje të mira

(Foto: basketbolli.com)

Basketbollistët e Kosovës U-20 janë duke u përgatitur intensivisht për paraqitje sa më të mira në garat evropiane.

Kosova U20 (M) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U-20 European Challengers që do të mbahet prej 20 deri më 25 Korrik 2021 në Sopron të Hungarisë.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Mark Rodiqi, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve.

“Përgatitjet janë duke u zhvilluar mirë. Jemi të kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe presim që deri në datë të nisjes të arrijmë një formë të mirë garuese për turneun në Hungari. Ekipi përbëhet prej lojtarëve që njihen ndërmjet veti nga grumbullimet e mëparshme U16, U18, si dhe prej disa përforcimeve që erdhën nga diaspora jonë në Evropë dhe SHBA”, është shprehur Rodiqi për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai ka folur edhe synimet e Dardanëve. “Ekipi është me potencial të mirë dhe pres paraqitje dinjitoze. Kemi një ekip të ri me disa lojtarë të cilët paraqiten për herë të parë për Kosovën, prandaj është e vështirë të parashikojmë përballjet me kundërshtarët”, shtoi tutje trajneri i mirënjohur në basketbollin e Kosovës.

Kosova është në grup me Bjellorusinë, Hungarinë e Sllovakinë. “Në fazën e grupit përballemi me ekipet e Bjellorusisë, Hungarisë dhe Sllovakisë. Shpresojmë se do të tregojmë lojë të mirë dhe të jemi konkurrent me rezultat”, përfundoi Rodiqi.