Telegrafi

Përzgjedhësi i Kosovës, Challandes flet për vitin 2019 dhe synimet për vitin e ardhshëm

Challandes (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Bernard Challande ka dhënë komentet e tij për ecurinë e futbollit kosovar në vitin 2019 si dhe synimet për vitin e ardhshëm.

Kosova pati rezultate pozitive, përkundër faktit se nuk arriti të merrte një biletën për Euro 2020, por atë synon ta bëjë përmes Ligës së Kombeve.

“Ishte një vit interesant dhe ngazëllues. Objektivi ishte i qartë, të përparojmë, të përmirësohemi. Ekipi ka bërë performanca mjaft të mira në kualifikimet e Euro 2020. Jam mjaft i lumtur me këtë ekip”, ka thënë Challandes për RTK.

“Ne e kishim një fazë mjaft interesante të kualifikimeve. Më duhet t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me ekipin këtë vit. I falënderoj lojtarët, që kanë bërë paraqitje mjaft të mira, stafin, që ka bërë punë mjaft të mirë, Federatën, që na mundësoi të punonim si ekip, dhe krejt Kosovën për mbështetjen” shtoi trajneri.

“Jam i dëshpëruar që dy ndeshjet e ardhshme do t’i luajmë jashtë, e jo në Kosovë. Mbështetja ka qenë mjaft e madhe, ka qenë nder për ne të punoja këtu në Kosovë, njerëz të shkëlqyeshëm. Nuk mund të premtoj rezultate. Jam i sigurt se ky ekip do të japë gjithçka që është e mundshme për ta arritur kualifikimin”.

“Ne i ëndërrojmë kualifikimet. Ne kemi mundësi të shkojmë në Euro 2020 nëse e fitojmë Ligën e Kombeve. Ne e kemi fituar grupin tonë, tash duhet ta fitojmë krejt ligën. Duhet të luftojmë deri në minutën e fundit. Maqedonia e Veriut nuk është një kundërshtar i lehtë. Ne do të jemi gati për këtë lojë. Shpresoj të shkojmë në finale dhe të jemi edhe atje të suksesshëm”, përfundoi Challandes.