Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanovic dhe sekretarin e parë Mladen Glavina, të cilët u dakorduan për një sërë takimesh me fokus të veçantë konkretizimin e bashkëpunimit në zbatimin e MSA-së.
Zëvendësministri Ilazi ka falënderuar ambasadoren Kapitanovic për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Republika e Kroacisë për Kosovën, në veçanti në procesin e integrimit evropian.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, gjatë takimit zëvendësministri Ilazi diskutoi për çështje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, përgatitjet që po bëjnë institucionet e Kosovës në implementimin e MSA-së, duke theksuar që Kosova ka nevojë për përvojën dhe ekspertizën kroate në zbatimin e MSA-së.
Në anën tjetër, ambasadorja Kapitanovic ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kroacisë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Zëvendësministri Ilazi dhe ambasadorja Kapitanovic u dakorduan për një sërë takimesh me fokus të veçantë konkretizimin e bashkëpunimit në zbatimin e MSA-së. /Telegrafi/