Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me rastin e punëtorit të RTK-së, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për përfitim të të hollave përmes një kompanie fantome.
Nga kjo prokurori kanë deklaruar se aktakuza është ngritur në vitin 2014.
“Prishtinë, 8 tetor 2021– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh”, njofton prokuroria.
Po ashtu, “Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmarrjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së”.
Të njëjtit, në këtë çështje penale, i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.
“Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/