Site icon Telegrafi

Përveç numrit të votave, diskutime edhe për thirrjen e seancës për Ligjin për PSP-në

E ardhmja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) akoma është në ajër dhe nuk dihet nëse do të sigurohen votat e nevojshme (80) për miratimin e ligjit të ri. Përveç numrit të votave, diskutim është hapur edhe për caktimin e seancës plenare në Kuvend, në të cilën do të duhet të votohet ligji.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, fillimisht deklaroi se edhe nëse arrihet marrëveshje mes partive politike për ligjin e ri për PSP-në, ai nuk do të thirr seancë, duke u arsyetuar me zgjedhjet presidenciale, për të cilat fushata fillon më 1 prill, njofton Telegrafi Maqedoni.

Këto deklarata i kundërshtoi ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, e cila deklaroi se pasi të arrihet marrëveshje mes partive për të votuar ligjin e ri, kryetari i Kuvendit do të duhet të caktojë seancë për votim.

Lexo po ashtu Xhaferi nuk do të thërret seancë për PSP-në

Talat Xhaferi sërish ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë. Këtë herë përmes një postimi në Facebook. Ai shkruan se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, punon në përputhje me Rregulloren dhe jo mbi bazë të diktatit e më së paku jo sipas pretendimeve të caktuara individuale qofshin ato të një ministri.

Ndryshe, edhe pas takimit të djeshëm të grupeve të punës mes pushtetit dhe opozitës nuk u arrit marrëveshje, ndërsa të dy palët deklaruan se diskutimet nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojnë në të ardhmen.

Përveç opozitës maqedonase, kryeministri Zoran Zaev në negociatat për Ligjin për PSP-në ka përfshirë edhe opozitën shqiptare. Ai dje realizoi takim me Bilall Kasamin dhe Ziadin Selën. Këto dy të fundit pas takimit deklaruan se mbështetin punën e PSP-së, por si organ të veçantë dhe jo të bashkuar me Prokurorinë Themelore. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Mbetet e pasigurt sjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike në Maqedoni
Exit mobile version