Gjurmët e agjentit nervor të epokës sovjetike Novichok, me të cilin supozohet të jetë helmuar opozitari rus, Aleksei Navalny janë gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku ka qëndruar ai para se të sëmurej.
Kështu ka njoftuar ekipi i tij, duke shtuar se ai është helmuar me urdhrat e Vladimir Putinit.
Një kritik i hapur i Kremlinit, Navalny filloi të ndihej keq derisa nga qyteti Tomsk po fluturonte për në Moskë. Aeroplani u detyrua të bënte ulje të paplanifikuar në Omsk të Siberisë.
Fillimisht ishte besuar se kritiku i Kremlinit mund të jetë shënjestruar në aeroport.
“Tani e kemi kuptuar: helmimi është kryer para se ai të largohej nga dhoma për të shkuar në aeroport”, është thënë në një postim në llogarinë e tij në Instagram.
Ai ishte dërguar në Gjermani për trajtim.
Mostrat e marra nga Navalny janë dërguar gjithashtu në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë për prova në laboratorët e tyre.
“Pavarësisht nga hetimet e OPCW, tre laboratorë tani kanë identifikuar në mënyrë të pavarur një agjent nervor ushtarak si shkakun e helmimit të Navalny. Ne përsërisim thirrjen tonë që Rusia të shpjegojë këto ngjarje”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.
Mjekët e ushtrisë në spitalin Charite të Berlinit ishin të parët që thanë se Navalny, i cili u zgjua nga koma javën e kaluar, ishte helmuar me Novichok.
Edhe dy laboratorë të specializuar në Suedi dhe Francë gjetën se Novichok ishte përdorur për të helmuar liderin rus të opozitës.
Menjëherë pasi ishte zgjuar nga koma, Navakny postoi një fotografi në Instagram, duke njoftuar se po merrte frymë pa “pajisje ndihmëse”.
Po ashtu, konfirmohet se Navalny do të kthehet në Rusi.
“Është çuditëse për mua pse dikush duhet të mendojë ndryshe”, ka njoftuar zëdhënësja e tij Kira Yarmysh në Twitter.
Në muajin korrik 2019, udhëheqësi i opozitës ruse u trajtua në një spital në Moskë për shkak të një sëmundje të panjohur.
Ky nuk është një sulm i izoluar, por një nga shumë tentim atentatet kundër kundërshtarëve të regjimit të Putinit, si brenda dhe jashtë Rusisë.
Gjatë 20 vjetëve të pushtetit të Putinit, ka pasur shumë raste kur kundërshtarët e hapur të tij janë helmuar, ndonjëherë me pasojë vdekjen.
Ditë më parë, në rajonin administrativ të Chelyabinsk, persona të panjohur kanë sulmuar koordinatorin e selisë rajonale të Alexey Navalny, Alexey Baraboshkin.
Selia e partisë së Navalnyt, njofton që Baraboshkin, për disa javë me radhë ishte kërcënuar për aktivitetin e tij politik.
Raporti mjekësor thotë që Baraboshkin ka pësuar tronditje të trurit dhe si pasojë e kësaj, për trajtim të mëtejshëm është dërguar në “Qendrën Klinike Rajonale”.
Për sa i përket besueshmërisë së Putinit, vetëm 22 për qind e qytetarëve rusë thonë vendi është demokratik, e që është përqindja më e ulët që nga viti 2005.
Sipas tyre, 17 për qind e qytetarëve thotë se vendi është duke u bërë gjithnjë më autoritar, nga 12 për qind që ishte në vitin 2005.
Rreth 40 për qind e rusëve thonë se gjithnjë e më shumë mungon rendi publik, apo është shndërruar në anarki, kjo përqindje 15 vite më parë ishte 30 për qind.
Kjo politikë e atentateve është vetëm një pjesë e një strategjie hibride më të madhe ruse për të përdorur dhunë, sulme kibernetike, përzierje në zgjedhje, dezinformim dhe propagandë për të mbjellë përçarje në botë.
Kjo strategji është dëshmi e dobësisë së regjimit të Putinit dhe mbështetjes publike, jo e fuqisë së tij. /Telegrafi/