Site icon Telegrafi

Përurohet xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’ në Mitrovicë

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, duke uruar xhematin për këtë xhami të bukur, tha se sot për Mitrovicën dhe Kosovën është një ditë e veçantë.

Sipas tij, përkrahja e qeverisë dhe popullit turk për Kosovën dhe popullin e saj, është dëshmuar vazhdimisht, si në kohë të vështira ashtu edhe në paqe.

“Ky objekt është institucion që prodhon paqe, prosperitet dhe bashkëpunim për të gjithë. Nga kjo shtëpi e Zotit, sikurse edhe deri tani, do të ndizen shkëndija për të gjithë qytetarët, të cilat shkëndija përçojnë mesazhin e dashurisë mes vete, barazisë dhe bashkëjetesës për të gjithë, pa dallim”, ka thënë mes tjerash Tërnava.

Edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Turqisë, Mehmet Gyrmez, duke u shprehur i lumtur për ndërtimin e kësaj xhamie, tha se kjo është një dhuratë enkas për vëllezërit shqiptarë në Kosovë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Myjezinogllu, duke dërguar mesazhet e urimit të kryeministrit turk, Taip Erdogan dhe presidentit, Abdullah Gyl, për qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi, ka premtuar mbështetje në fusha të ndryshme për shqiptarët dhe Kosovën.

Ai i ka quajtur qytetarët e pranishëm bashkëvendës, duke sqaruar se të parët e tij janë me prejardhje pikërisht nga Kosova.

“Kjo xhami që po inaugurohet sot nuk do të jetë e fundit, por bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe më fuqishëm. Përkrahja e popullit turk nuk do të jetë vetëm në këto objekte fetare, por edhe në fusha tjera, si në shëndetësi dhe ekonomi”, ka thënë ministri Myezinogllu.

Ndërtimi i kësaj xhamie është donacion nga komuna e Bajram Pashës së Stambollit dhe kap shumën prej rreth 2 milion euro. /Telegrafi/
 

Exit mobile version