Telegrafi

Përurohet stadiumi i ri në Han të Elezit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë sot (e enjte) përurimin e Stadiumit në komunën e Hanit të Elezit, duke bërë të ditur se vlera e tërësishme e stadiumit është rreth 220 mijë euro.

Ministri Gashi ka përuruar fushën në Han të Elezit dhe ka treguar se ky investim është bërë në bashkëpunimin mes MKRS-së, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës, ndërsa mendohet se do të shfrytëzohet nga FC Sharri dhe do të quhet “Suad Brava”.

“Është kënaqësi e veçantë që të jem në përurimin e një prej investimeve më të rëndësishme në këtë komunë”.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me Komunën dhe Federatën e përfunduam në një afat rekord këtë projekt kapital duke pasur parasysh që ndërtimi i këtij stadiumi ka qenë kërkesë për vite tëra por ne pas marrëveshjes me kryetarin e përfunduam për disa muaj”.

“Ky investim është në kuadër të investimeve për avancimin dhe fuqizimin e infrastrukturës sportive dhe është interesim i yni që ta masivizojmë sportin në të gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.

Gashi gjithashtu falënderoi edhe kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe atë të Komunës, Rufki Suma për bashkëpunim në finalizim të këtij projekti.

Ai gjithashtu theksoi se projekti i nisur për ndërtimin e 12 fushave është shumëfishuar. /Telegrafi/