Telegrafi

Përurohet shkolla e re në Druar të Vushtrrisë

Pas plotë 51 viteve, fshati Druar i Vushtrrisë është bërë me shkollë të re. Ndërtimit të këtij objekti, përurimi i së cilës është bërë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, i janë gëzuar banorët e fshatit Druar.

Nxënësit, prindërit por edhe banorët e fshatit Druar për objektin e ri shkollor, i ka uruar kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, i cili me këtë rast tha se është shumë e rëndësishme ndërtimi i objektit shkollor në këtë fshat, pasi që objekti i deritanishëm nuk i plotësonte më kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Kurse, drejtori i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Druar, Vesel Uka, tha se ka qenë tejet e nevojshme ndërtimi i një objekti të ri shkollor në këtë fshat për arsye se objekti i deritanishëm i cili ka qenë i ndërtuar më se 51 vite më parë, tashmë i vjetruar, nuk ka përmbushur as kushtet minimale për mbajtjen dhe zhvillimin e procesit mësimor. /Telegrafi/