Gjatë ditës së sotme është përuruar Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë.
Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se ky është një projekt me rëndësi të veçantë për shëndetësinë në Mitrovicë, shkruan Telegrafi.
“Para tri viteve kur kam konkuruar për kryetar të Komunës së Mitrovicës, i kam deklaruar prioritet e mia, prioritet i lartë ka qenë shëndetësia. Sot jam i lumtur që ky është objekti i 14-të që ne po e përurojmë, po e presim edhe një objekt të përurojmë për vitin e ri”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se pesë objekte shëndetësore janë të reja, duke filluar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Koshtovë, Stan Tërg, Frashër, në “Iliridë” dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare që sipas tij, do të hapet në fund të këtij viti.
Ndërsa, objektet shëndetësore të renovuara janë në fshatrat Zabërgj, Vllahi, Rashan, Shupkovc, Zhabarë, Bare dhe Bajgorë.
“Kemi rritur furnizimin me barna esenciale, i kemi përkrahur me subvencione ata që kanë qenë në nevojë duke përfshirë edhe raste siç janë me sëmundje të kancerit. Unë sot jam para juve të shpreh mirënjohjen dhe respektin maksimal për të gjithë personelin mjekësor, për një punë të palodhshme, të pakursyer në shërbim të pacientëve dhe në shërbim të qytetarëve”, ka thënë tutje ai.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka treguar se ndërtimi i kësaj QMF-je është një bashkëfinancim mes organizatës “Qatar Charity” dhe Komunës së Mitrovicës, transmeton Telegrafi.
“Unë jam i lumtur që të punësuarit do të kenë kushte më të mira për punë dhe pacientët do të kenë vend më të tmirë për të marrë shërbime mjekësore”, ka përfunduar Hamza.
Ndërsa, drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, ka thënë se kjo është një ditë e veçantë për banorët e lagjes “Ilirida” në Mitrovicë.
“Prej sot qytetarët tanë do të kenë mundësi të marrin shërbime shëndetësore me qasje më të lehtë, ndërsa mjekët dhe infermierët tanë do të kenë kushte shumë më të mira të punës”, ka thënë Shabani.
Shabani ka thënë se vështirësitë e punës për qytetarët e kësaj zone “tani i përkasin të kaluarës”.
“Tashmë kemi një qendër shëndetësore me hapësira të mjaftueshme të punës, lehtësisht të qasshme për qytetarët, shumë të lehtë për ta mirëmbajtur, pajisje të reja dhe moderne, infrastrukturë të modernuar. Shërbimet shëndetësore që do të ofrojë kjo qendër janë shërbime shëndetësore të mjekësisë familjare, të infermierisë, stomatologjisë, radiologjisë dentare, analizave laboratorike, farmacisë, shërbime të vaksinimit dhe shërbime të edukimit shëndetësorë”, ka thënë tutje ai.
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës ka treguar se ky projekt është bashkëfinancim mes “Qatar Charity” dhe Komunës së Mitrovicës, sipas tij 42 për qind është financim nga organizata në fjalë dhe 58 për qind nga komuna, derisa kostoja totale e projektit është rreth 340 mijë euro.
Derisa një pjesëtar i organizatës “Qatar Charity” ka thënë se janë të lumtur që të kontribuojnë me projekte të ndryshme për brezat e ardhshëm.
“Më vjen mirë të theksoj bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm me Komunën e Mitrovicës në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë krenar për projekte të tjera që realizojnë në partneritet me Komunën e Mitrovicës. /Telegrafi/