Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është inauguruar Njësia e Mjekimit Intensiv, e cila është e rinovuar, pajisur me pajisje mjekësore dhe i është instaluar nënstacioni i pavarur i gazrave medicinale.
E gjithë kjo është bërë me financimin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili duke falënderuar shtetin turk për këtë investim në shëndetësinë kosovare, tha se në këtë qendër intensive tani janë rritur kapacitetet për trajtimin e pacientëve.
“Është mjaftë moderne e cila si asnjëherë më parë do të ofroj shërbime shumë kualitative. Natyrisht ne kemi një personel të shkëlqyeshëm në Kosovë, por që kemi pasur nevojë që të kemi edhe një qendër të pajisur me pajisje moderne dhe një ambient mjaftë modern. Pra është ditë shumë e madhe për ne por në anën tjetër të cilën nuk do kishim mundur ta arrinim sot pa ndihmën e madhe që i ka dhënë Qeveria turke dhe TIKA turke, e cila ka bërë një investim 2 milionë euro, ku sot kemi 27 shtretër e të cilat më parë kemi pasur vetëm 14, pra kemi një rritje të kapaciteteve”, u shpreh Ismaili.
Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç gjatë inaugurimit të kësaj njësie mjekësore, tha se shpreson se bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë do të vazhdojë tutje.
“Sot jemi dëshmitar dhe jemi të gëzuar që jemi në këtë hapje pas mbarimit të projektit të renovimit dhe të furnizimit me pajisje mjekësore të mjekimit intensiv qendror këtu në QKUK. Uroj që ky projekt të jetë në të mirë të kosovarëve dhe të gjithëve këtu në Kosovë….Ne shpresojmë që bashkëpunimi ynë do të vazhdoj edhe në të ardhmen në fushën e shëndetësisë. Ne nuk e shohim këtë si një ndihmesë apo donacion kjo është një ndarje midis vëllezërve dhe miqve”, ka deklaruar ambasadorja turke.
Zëvendës kryetari i TIKA-së, Birol Qetin bëri të ditur se përveç këtij investimi që kap shifrat rreth 2 milionë euro, ata do të trajnojnë edhe mjekët nga Kosova me ekspert nga Turqia.
“Për një kohë të shkurtër së bashku me ministrinë do të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë për trajnimin e stafit kosovar me ekspert e Turqisë. Siç e dini ne si TIKA jemi duke realizuar projekte në ndryshme në shumë shtete dhe për ne njeriu dhe jeta e njeriut është shumë e rëndësishme. Dhe në këtë aspekt ne nuk jemi duke bërë asnjë diskriminim, mirëpo mund të them se Kosova e ka një vend të veçantë në zemrat tona, ne me Kosovën jemi shumë të afërt “, u shpreh ai.
Kurse, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, hapjen e Njësisë së Mjekimit Intensiv e ka konsideruar si ndihmesë të madhe për shëndetësinë kosovare.
“27 shtretër në këtë ambient mjaftë modern do jenë një ndihmesë mjaftë e madhe dhe shpresoj që do të reflektoj si hap i parë dhe si model edhe për klinikat tjera se si duhet të duken dhe se si duhet të funksionojnë“, ka bërë të ditur Sejdiu./KP/