Site icon Telegrafi

Përurohet më në fund segmenti rrugor Milloshevë – Stanovc

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i shoqëruar edhe nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka përuruar sot një segment të rrugës nacionale N2, Prishtinë – Mitrovicë.

Në ceremoninë e zhvilluar në fshatin Gracë të Vushtrrisë, Mustafa dhe Zharku përuruan segmentin e rrugën Milloshevë – Stanovc, raporton lajmi.net.

Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, me këtë rast tha se ky është një projekt shumë i madh dhe do të jetë i ndërlidhur me projekte të tjera shumë të mëdha që, në mënyrë që qytetarëve t’u lehtësohet jeta sa më shumë. “Ne po mundohemi që ndërtimin e infrastrukturës ta bëjmë si pjesë të krijimit të kushteve për zhvillim më të shpejt ekonomik, dhe të barazimit të kushteve të rrugëve dhe hekurudhave tona me ato që i kërkon Bashkimi Evropian, sepse ne po vazhdojmë procesin e integrimit në BE dhe të hapjes së të gjitha rrugëve për integrim”, tha kryeministri.

Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mustafa theksoi se janë marrë obligime që të barazohet standardi i rrugëve me rrugët evropiane. “Kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet, dhe po ashtu kemi siguruar fondin për rikonstruimin e hekurudhës, me përkrahjen e Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Komisionit Evropian. Është një shumë prej 160 milionë eurove që është destinuar për të, dhe mendojmë se edhe këtë do ta përfundojmë gjatë kësaj periudhe kohore”, tha ai.

Kryeministri Isa Mustafa, bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që të sigurohen hyrje të zgjeruara në të gjitha qendrat e Kosovës. “Do të sigurojmë kushte që të përkrahim komunat në projektet e tyre infrastrukturore, në mënyrë që qytetarëve t’ua bëjmë më të lehtë jetën e tyre dhe po ashtu të arrihet standardi sa i përket infrastrukturës në tërësi. Kjo është një punë e madhe që ne po e bëjmë, dhe do të jetë e ndërlidhur me të gjitha projektet tjera ekonomike të cilat ne do t’i zhvillojmë gjatë kësaj periudhe kohore”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se përkundër ambientit politik jo shumë të përshtatshëm, gjatë këtij viti është punuar shumë, por se ka munguar njoftimi i qytetarëve lidhur me punët e kryera, sepse lajm kanë qenë çështjet tjera.

Kurse, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se përurimi i rrugës në segmentin Milloshevë-Stanovc, është vetëm njëra nga projektet e mëdha infrastrukturore që janë kryer gjatë këtij viti. “Nga Buxheti i përgjithshëm, prej 175 milionë euro, 131 milionë euro i kemi pasur investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për projektet e vitit të kaluar, natyrisht tani kemi filluar edhe me projektet e reja”, tha ai.

Përpos autostradës dhe kësaj pjese të rrugës, ministri Zharku ka përmendur edhe disa projektet të tjera ku po punohet. “Jemi pothuajse në përfundim të segmentit Gjurgjicë-Kijevë që ka të bëjë me rrugën Prishtinë-Pejë. Po ashtu, gjatë këtij viti janë kryer rruga Shtime-Ferizaj, Piranë-Mamushë. Kemi lidhjen e autostradës me pjesën jugore të Prizrenit prej Hoçës së Madhe, rehabilitimin e rrugës QMI-Hani i Elezit, rehabilitimin e rrugës Ferizaj-Kllokot-Viti deri në Gërlic, dhe shumë projekte të tjera. Natyrisht, vitin tjetër do të vazhdojmë me tempo të shtuar, posaçërisht te autostrada “Ibrahim Rugova”. Do të kemi edhe projekte të reja. Më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre që do të realizohen prej Buxhetit të Kosovës dhe natyrisht disa me financim të jashtëm. Me financim të jashtëm ne besojmë se do të vazhdojmë me rrugën që kemi me konsorciumet islamike, institucionet financiare, 27 kilometra nga Stanovci deri në Vushtrri. Besojmë se deri në korrik, eventualisht në gusht të vitit të ardhshëm, do ta kemi kontratën e nënshkruar me ekzekutuesin e punimeve. Në anën tjetër, prapë me BERZH-in, po presim që në qershor, eventualisht në korrik apo gusht të vitit të ardhshëm të fillojmë edhe me pjesën Kijevë-Zahaq”.

“Po ashtu, me BERZH-in tashmë e kemi të përfunduar marrëveshjen për 29 milionë euro që ka të bëjë me financimin e tri rrugëve në qytetet kryesore, hyrje-daljet Gjilan-Ferizaj dhe Prizren, si dhe rikonstruimin substancial të pjesës që ka të bëjë prej Kllokotit deri në Gjilan. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë edhe me projekte të reja përmes Buxhetit të Kosovës, siç është zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë. Do të vazhdojmë natyrisht me pjesën e mbetur të rrugës Skenderaj-Drenas. Sivjet po kryhen 13 kilometra, kurse pjesa tjetër besoj se do të vazhdoj vitin e ardhshëm. Kurse me financim të jashtëm do të mundohemi që ta kryejmë edhe autostradën e Gjilanit dhe natyrisht pjesën e mbetur të Autostradës “Ibrahim Rugova” Besi-Merdare”, bëri të ditur ministri i Infrastrukturës.

Ministri Zharku, po ashtu, tha se gjatë vitit të ardhshëm do të jenë afër 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është afër 80 milionë euro, duke bërë të ditur se do të fillohet paraprakisht me 21 milionë euro e gjysmë, kurse 43 milionë tjera do të përdoren për vazhdimin e punimeve në projektet që kanë filluar më herët. /Telegrafi/

Exit mobile version