Të premten në Pejë është përuruar fusha moderne e tenisit, e cila e mban emrin e ish – kryetarit të klubit të tenisit Peja, Enes Nallbani, që ka ndërruar jetë një vit më parë.
Nallbani nga dashamirët e këtij sporti, po konsiderohet njëri nga më meritorë që tenistët pejanë kanë kulm mbi kokë.
Në këtë ngjarje në mesin e shumë pjesëmarrësve ishin edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për të cilin Enes Nallbanit i takojnë meritat kryesore që ky projekt ka marrë formën aktuale.
Ai më tutje ka thënë se Nallbani ka pasur një vullnet të jashtëzakonshëm për shtyrjen përpara të këtij sporti në qytetin e Pejës.
“Mendoj se sportdashësit duhet të jenë mirënjohës çdo herë të ndjerit për punën e madhe që e ka bërë për këtë fushë”, ka shtuar Muhaxheri.
Nënkryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK), Shkelzen Domi ka thënë se Peja ka bërë shumë për tenisin, duke i ofruar sipas tij, 6 fusha në dispozicion.
Sipas tij, i kemi katër fusha në Brestovik, derisa 2 të tjera sipas tij, janë të mbyllura dhe mund të shfrytëzohen vjeshtës dhe dimrit.
“Është interesant se pse Peja mundet t’i ketë të gjitha këto fusha e qytetet tjera nuk munden”, ka theksuar Domi.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti është drejtuar Lendita Nallbani, bashkëshortja e Enes Nallbanit. Ajo ka thënë se burri i saj kishte jetë të shkurtër, por kishte kontribuar për sportin pejan dhe për tenisin në veçanti.
“Sot po e bëni Enesin dhe veprat e tij që të mos vdesin kurrë. Ju falemnderoj që keni qëndruar afër”, ka shtuar Lendita Nallbani.
Ndryshe, Enes Nallbani ka qenë kryetar i klubit të tenisit Peja. Ai ka ndërruar jetë një vit më parë, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. /Telegrafi/