Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të kryesuar nga Tracy Whittington, drejtoreshë e Zyrës Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit, kanë bërë përurimin e Projektit të “Dhomës për intervistimin e të miturve” në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, projekt ky, i cili është financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Kryesuesi Hyseni ka shprehur mirënjohje të thellë për Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila ka mbështetur realizimin e këtij projekti, por edhe ka dhënë mbështetje të vazhdueshme, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar një imazh më të mirë për sistemin prokurorial të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Për rëndësinë e Projektit të “Dhomës për intervistimin e të miturve” në ngritjen e efikasitetit të punës në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka folur kreu i kësaj prokurorie, Imer Beka, duke thënë së krijimi i kushteve më të mira për intervistimin e të miturve do të ndikojë në efikasitet më të madh në punën e këtij departamenti.
Ndërsa, drejtoresha Wittington është shprehur e lumtur për finalizimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-së për ofrimin e mbështetjes së mëtutjeshme për sistemin prokurorial në Kosovë.
Donacionet e tilla të Ambasadës Amerikane në Kosovë janë dhënë edhe për katër prokurori të tjera themelore të Kosovës./Telegrafi/