Site icon Telegrafi

Ministri Zharku përuroj asfaltimin e rrugës Botushë – Koshare

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku së bashku me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila dhe deputetët Anton Quni e Armend Zemaj përuruan përfundimin e rrugës lokale Botushë – Koshare.

Ministri Zharku u shpreh shumë i kënaqur me përfundimin e punimeve të kësaj rruge të një rëndësie të madhe për ruajtjen e vlerave të UҪK-së. “Ky investim prej 800 mijë eurosh është premtuar prej kryeministrit Mustafa në vitin 2015. Jam shumë i gëzuar që po e përfundojmë një premtim të dhënë. Besojmë që ky investim do të kontribuojë për të kultivuar këto vlera të UҪK-së dhe natyrisht ta lartësojmë atë”, theksoi ministri Zharku.

Me këtë rast, kryetarja Kusari-Lila e falënderoi ministrin Zharku dhe Ministrinë e Infrastrukturës për investimin e bërë.
“Kjo rrugë është kërkuar të ndërtohet shumë më herët. Vetë emri i Koshares paraqet një Monument të historisë moderne të të gjithë kombit shqiptar. Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për Komunën e Gjakovës sepse na mundëson lidhjen me memorialin e Koshares dhe do të mundësojë një zhvillim të turizmit në këtë zonë. Urojmë që të kemi më shumë projekt të tilla”, theksoi kryetarja Kusari-Lila.

Ndërsa deputeti Anton Quni, në emër të stafit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës, falënderoi të gjithëve ata që ishin të përfshirë në ndërtimin e rrugës dhe posaçërisht ministrin Zharku e kryetaren Kusari-Lila, si dhe të gjithë të tjerët që kontribuan në përfundimin e këtij projekti.

Ky projekt infrastrukturor i financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë prej 725,252.49 eurosh ka një gjatësi prej 8300 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.

Më pas Ministri Zharku vizitoi punimet që po bëhen në disa rrugë të Deçanit, si dhe asfaltimin e rrugës në fshatin Strellc i Ulët, ku u mirëprit nga banorët e këtij fshati. /Telegrafi/

Exit mobile version