Site icon Telegrafi

Përurohen në Spitalin e Gjilanit Pulmologjia, Laboratori i Patologjisë dhe Radiologjia të rinovuara

Reparti i rinovuar i Pulmologjisë, Laboratori i Patologjisë dhe pjesa e rinovuar e Radiologjisë janë përuruar këtë të enjte në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Përurimin e kanë bërë Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bashkë me Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Ditz dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Arsim Emini.

Sipas njoftimit të ministrisë, ky rinovim është bërë me ndihmën e Qeverisë së Luksenburgut.

“Në këtë përurim, morën pjesë edhe u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi, kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, dr. Aida Rexhepi, anëtarja e bordit të SHSKUK-së, dr. Agreta Gecaj- Gashi dhe kryetari i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni”, thuhet në komunikatën për media.

Me këtë rast, Latifi tha se dita e sotme është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në Komunën e Gjilanit, pasi që pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore.

“Ky monument është shumë i rëndësishëm edhe për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët, infermierë dhe stafin mbështetës, e njëkohësisht edhe për shërbime sa më të mira për qytetarët e Gjilanit me rrethinë. E gjitha kjo, është në frymën e angazhimeve tona për transformimin e sistemit shëndetësor në vend”, tha ministri. /Telegrafi/

Exit mobile version