Site icon Telegrafi

Përurohen katër rrugë të reja në Komunën e Gjakovës

Në kuadër të realizimit të projekteve në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, sot kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, me bashkëpunëtor ka përuruar edhe katër rrugë të reja në Komunën e Gjakovës. Fillimisht, kryetarja Kusari-Lila është mirëpritur nga banorët e Lagjes “Mulla Jusuf”, ku bashkërisht kanë prerë shiritin e përurimit të dy rrugëve lokale, kostoja e të cilave ka shënuar vlerën prej mbi 31 mijë euro.

“Sot në këtë lagje të qytetit po përurojmë edhe dy rrugë lokale, me vlerë prej 31 mijë euro. Me ndërtimin e këtyre dy rrugëve komuna ka përfunduar projektin e realizimit të projekteve kapitale në infrastrukturë rrugore në këtë pjesë të qytetit, dhe tani mbetet përkujdesja në mirëmbajtje të rrugëve si dhe në investimet tjera publike”, ka thënë Kusari-Lila.

Po ashtu, bashkërisht me qytetarë të Bllokut të Ri, të rrugëve “Sejdi Rama “ dhe “Florim Sejdiu”, kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, ka shënuar realizimin edhe të dy projekteve kapitale në infrastrukturë. Kryetarja Kusari Lila me këtë rast ka folur për rëndësinë që ka zhvillimi i infrastrukturës në këtë pjesë të qytetit dhe në tërësi në komunë.

“Ndërtimi i këtyre dy rrugëve është më një rëndësi të veçantë duke qenë se qarkullimi në bllokun e ri ka mbi 25 mijë banorë, të cilët me lehtësi po qarkullojnë gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre”, ka thënë Kryetarja Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka cekur edhe shumën që janë shpenzuar për ndërtimin e këtyre dy akseve rrugore në vlerë prej rreth 106 mijë euro, dhe ka shtuar se ne do të vazhdojmë tutje në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në tërë Komunën e Gjakovës. /Telegrafi/

Exit mobile version