Kahet e integrimeve rajonale në fillim të shekullit 21, e sidomos tani kur po pritet të fillojnë bisedimet Kosovë-Serbi, po vërtetojnë se qasjet shkencore ndaj problemeve aktuale janë bërë më se të domosdoshme. Edhe pse sot fotografia e Ballkanit, me gjithë rëndësinë dhe peshën gjeostrategjike që ka, më shumë i përngjan një copëze katrori të mozaikut në të cilën popujt e vegjël përfaqësojnë vetëm pjesën margjinale të tij, të mëdhenjtë nuk po japin atë që i nevojitet rajonit, dhe, në vend të kësaj, kontrollimi i rajonit ka fituar prioritet më shumë se nxitja për zhvillim.
Kosova, si vend në transicion i Ballkanit, që nga paslufta e deri më sot, është e përshkuar nga shpresa që të jetë pjesë e Evropës dhe organizmave të tjerë euroatlantikë. (Këtë shpresë, në formë gati refrenesh, e kemi dëgjuar shumë herë nga prononcimet e qeveritarëve të Kosovës, sidomos të kryeministrit Hashim Thaçi, e para tij, në mënyrë kontinuele, edhe nga ish-presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova). Rrethanat e reja të çështjes së Kosovës në kontekst të raporteve mes shteteve të Evropës, sidomos pas ngjarjeve të fundit, kanë fituar një përmbajte sadopak tjetër.
Gjendja momentale tërheq vërejtjen në distancën e Evropës karshi problemit të Kosovës. Tani kur kartat e interesave të shteteve të mëdha janë hapur, e të cilat do të ndikojnë edhe në integrimet e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, kohëve të fundit, përkundër dëshirës sonë, po flitet për disa kontradikta, nëse jo kontraritete të koncepteve të shteteve të rëndësishme perëndimore rreth Kosovës. Ka frikë të dyshohet në mundësinë e konkludimit të mëhershëm kur thoshim se Evropa edhe më tutje ka dhe do të ketë vizion të qartë, të standardizuar dhe të tërësishëm. Nëse besueshmëria e këtij konkludimi do të qëndronte edhe me vetëm një përqindje të vogël, atëherë synimet tona politike dhe diplomatike, të cilat janë orientuar kah realizimi i aspiratës së Kosovës, duhet rilexuar. Edhe pse të vetëdijshëm për rrethanat dhe kapacitetet tona, këto rrethana të reja të krijuara, sidomos pas zhvillimeve të fundit në Këshillin e Evropës, mund të ndikojnë në të nesërmen e vendit.
Tani kur akrepat e orës së fillimit të bisedimeve me Beogradin kanë filluar të numërojnë nga prapa, realiteti kosovar gjendet para një porte, ku matanë pragut të saj, çdo projektim i gabuar sot, nesër mund të jetë insuficient në kontekst të ardhmërisë së saj. Projektet madhore të vendit duhet t’i zëvendësojnë politikat ditore me interesa parciale, sikur që, shkrimet vetëm mediatike nuk duhet të jenë më të lexueshme (lexo: të pranueshme) se punimet analitike, të dala nga individët, sidomos nga institutet relevante, e të cilat, nëse nuk i kemi, t’i themelojmë sa më shpejt dhe në to të punohet me mençuri. Qeveria e ardhshme e Kosovës, ajo për të cilën mandatari i tanishëm për themelimin e saj kishte deklaruar se do të jetë demokratike dhe me vizion perëndimor euroatlantik, pikëpamjeve të veta politike duhet t’iu gjejë substrat dhe mbështetje shkencore.
Rajoni i Ballkanit, të cilit i përkasim edhe ne, sa karakterizohet me dramën e rënies së Jugosllavisë, po aq karakterizohet edhe me problemet që vijnë nga politikat e tanishme të Serbisë. Ishte fati ai i cili caktoi të jemi fqinj të Serbisë, të këtij shteti me të cilin, edhe atëherë kur punohet të zgjidhen problemet, zgjidhja e problemit bëhet problem në vete dhe për vete. Serbia mund të arsyetohet vetëm në një rast! Ajo, pasi dështoi “të hedhë në det” një popull të tërë, duke u ballafaquar me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën, por edhe me faktorin ndërkombëtar, është e natyrshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj për ta përballuar edhe këtë gërrhamë të vdekjes. Me gjithë shpifjet, gënjeshtrat, përgatitjet e raporteve me përmbajtje dhe qëllime të errëta, të cilat janë pjesë integrale e arsenalit serb, Serbia, në fund do të detyrohet të pranojë realitetin e ri, sepse ardhmëria e saj po vendoset mbi parimin e gatishmërisë së saj për të biseduar me shqiptarët. Shqiptarët nuk duhet të presin diçka ndryshe nga fqinji i tyre verior. Në kundërshtim me Serbinë, koncepti ynë për Evropën, si një vend ardhmërie, e percepton atë si një sistem dhe shoqëri, e cila për ne u bë më e kërkuar, sidomos përgjatë zhvillimeve dhe transformimeve të fundit të kombit tonë.
Për shqiptarët nuk ka vlerë politike më të madhe se sa bashkimi me këtë familje demokratike. Ky koncept nuk është lëkundur as minimalisht pas raportit të Dick Martyt, i cili, për fat të keq, gjeti përkrahje në Këshillin e Evropës. Vizioni ynë për Evropën demokratike, edhe nëse është duke përjetuar goditje të herëpashershme, nuk duhet të lëkundet as edhe tani kur Kosova po bën përgatitjet e fundit për t’u ulur në tryezë bisedimesh me Serbinë. Politika amerikane, sikur edhe më parë, edhe kësaj radhe haptazi u prononcua se, pa marrë parasysh rezervat që mund të paraqiten tek disa shtete evropiane, ajo do të jetë e pranishme në këto bisedime.
Tani, kur Kosova po bën përpjekje serioze për krijimin e qeverisë, çështja se kush do të jetë pjesë e saj nuk do të duhej të ishte më e rëndësishme se programi që duhet të implementohet nga ajo qeveri. Kuptojmë, qeveria themelohet nga njerëzit dhe partitë. Personaliteti politik i një individi, është barazi me programin politik që e bart në vete. Mirëpo, shikuar nga lart dhe duke folur me gojën e popullit, implementimi i ligjit, rimëkëmbja e ekonomisë, mirëqenia sociale e qytetarit të Kosovës, domosdo janë më të rëndësishme se betejat, dialogët dhe takimet e ditëpërditshme të partive politike. Çështja është madhore. Kosova dhe shqiptarët janë para një provimi të madh. Parametrat e politikës ndërkombëtare, sidomos të asaj evropiane për Kosovën dhe për shqiptarët kanë ndryshuar dhe si të tilla, mund të ndikojnë në rrjedhat historike të kombit. Shqiptarët, të shkapërderdhur nëpër Ballkan, tani për tani janë larg homogjenizimit të vet karshi sfidave të tyre. Problemet e fundit në Shqipëri, presioni politik maqedonas që po ushtrohet mbi shqiptarët, dhe si rrjedhojë nxitja e këtyre të fundit për ndonjë konflikt të armatosur, me gjithë rrjedhat e politikës kosovare, janë shenja jo të mira, për atë faktorizim të shqiptarëve që aq shumë po e dëshirojmë. Në mozaikun e Ballkanit, Kosova nuk duhet të mbetet vetëm copëz katrori për t’u vendosur në margjinat e tij, e aq më pak shqiptarët.
(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory”)