Mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ahmet Dërguti” në lagjen Arbëria, ka ndodhur një rrahje mes disa personave ku dy persona pësuan lëndime nga therja me thikë.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkaq të lënduarit janë dërguar menjëherë për trajtim në QKUK.
Njëri nga ta mbrëmë i është nënshtruar një operacioni në pjesën e abdomenit.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i repartit të Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu.
“Pacienti mbrëmë i është nënshtruar një operacioni në pjesë abdominale pra te pjesa e barkut ka pas lëndime në lukth. Për momentin gjendja e pacientit është stabile dhe është duke u monitoruar”, ka thënë Sallahu.
Ndërkaq pacienti i dytë pas trajtimit mjekësor që ka marrë është lëshuar për në shtëpi.
Dyshohet se dy të rinjtë janë sulmuar nga tetë persona që kanë ardhur nga një lagje tjetër e kryeqytetit, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh./Telegrafi/