Site icon Telegrafi

Personeli shëndetësor keqpërdorin kartelat, mbi 200 vërejtje për mosrespektim të orarit në QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar mbikëqyrja e orarit të punës përmes kartelave për hyrje dhe dalje nga ky institucion.

Monitorimi i hyrje – daljeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i cili filloi që nga muaji mars i këtij viti, ka vërtetuar se shumë shpesh personeli mjekësor, nuk ka respektuar orarin e punës.

Kryesuesi i Kontrollit të Monitorimit të brendshëm Fakir Spahiu, thotë për RTV Dukagjinin se deri tani janë shqiptuar mbi 200 vërejtje ndaj atyre që nuk kanë respektuar orarin.

“Nga të gjithë drejtorët e klinikave kemi kërkuar të merren masa ndaj personelit të vet, ku në raportin e nxjerrë nga sektori i IT-së, të shohin të gjitha vonesat e ardhjes në punë, ose daljet e mëhershme nga puna. Kemi filluar edhe me vërejtjet e para, ku vetëm në kusht janë bërë rreth 200 vërejtje për specialistë, teknikë, punëtorë administrativë”, deklaroi Fakir Spahiu.

Pos kësaj, sipas Spahiut gjatë monitorimit është vërejtur edhe keqpërdorimi i kartelave.

“Kemi pasur keqpërdorim të kartelave, ku një person ka bërë për disa të tjerë, ato i kemi identifikuar përmes video incizimeve që i kemi ne si sektor i IT-së, dhe kemi marrë masa ndaj atyre dhe personave që kanë dhënë kartelat.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinikë Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha se do vazhdojnë të marrin masa disiplinore ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë orarin e punës.

“Pacientin duhet ta kemi për bazë në qendër, dhe nëse dikush del më herët nga puna atëherë evidentohen shumë shpejt. Nuk e kemi për cak të ndëshkojmë dikë, por qëllimi është të vendoset një rregull i punës. Nëse kemi një anarki në shëndetësi rrezikohen pacientët”, tha Basri Sejdiu – Drejtor i SHSKUK-së.

Klinikat të cilat prijnë me numrin më të lartë të vërejtjeve janë Kirurgjia dhe Gjinekologjia. /Telegrafi/

Exit mobile version