Site icon Telegrafi

Personat me sindromën Down janë ëndërrimtarë, e shohin botën pa luftë, pa krime, pa tradhti e pa ligësi: Ata janë miqtë e mi që dhurojnë vetëm dashuri

Do të doja ta takoja tani një nënë që sapo e ka kuptuar që brenda saj po rritet një fëmijë i cili ka Down Syndrome, apo një nënë që sapo solli në jetë një fëmijë e që mjekët nuk e uruan, por e ngushëlluan për faktin që fëmija i saj lindi i prekur nga kjo sindromë, e t’ia them këto fjalë që burim kanë zemrën time dhe secilën eksperiencë timen me buzëqeshjen e dashurinë e ofruar nga çdokush i prekur me këtë sindromë.

Dua t’i tregoj se në librat e biologjisë edhe sot akoma shkruhet që personat me Down Syndrome jetojnë deri në moshën 12-13 vjeçare, e disa prej miqve të mi tashmë i kanë kaluar të 40-at.

Dua t’i tregoj që shumë vite më parë dëgjoja fjalë nga më të ndryshmet për personat me Down Syndrome, seë janë të egër, shumë hiperaktivë, kokëfortë, ngacmojnë njerëzit… duke marrë gjithfarë epitetesh jo të mira.

E, gjatë këtyre viteve e kam kuptuar që këto fjalë vinin prej njerëzve që nuk kanë dashur t’i njohin miqtë e mi. Nga ata njerëz që asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë muhabet më të gjatë; nga ata shokë që kurrë nuk i përfshinë në lojën e tyre; nga ata njerëz që i kanë konsideruar si të sëmurë dhe nga ata njerëz që s’e kanë njohur kurrë dashurinë e vërtetë.

Po, edhe fëmija yt mund të kalojë nëpër situata të tilla, e të etiketohet me gjithfarë emrash nëse ti e konsideron lindjen e tij si ndëshkim e fatkeqësi. Por, besoni zërit tim që dridhet, se fjalët po më vijnë prej shpirti e zemre, që Down Syndrome nuk është fatkeqësi. Fatkeqësia më e madhe është vetëm padituria që nuk i lejon njerëzit për ta kuptuar që çdo njeri që e ka afër një person me Down Syndrome është i bekuar, sepse dashurinë, ndjenjën e mirë dhe të qeshurën që ju rrjedh prej shpirtit rrallë mundesh me e marrë prej dikujt tjetër.

Miqtë e mi e dinë saktë kur kam nevojë për dashuri dhe përqafime, mjafton me më pa në sy, dhe ata kanë për ta kuptuar çdo ndjenjë timen. Ata me kanë bërë të kuptoj se sa e bukur është jeta dhe se ka njerëz qe dhurojnë dashuri pa kushte, pa pretendime, pa etiketime. Ata e pranojnë çdo njeri ashtu siç është, sepse krejt çka shohin është dashuri e mirësi, ashtu siç do të duhej të ishte çdo njeri.

E di dhe e kuptoj që mund të jetë e vështirë për ty ne fillim e që i bën vetes pyetje të llojit se pse me ndodhi kjo mua? Çfarë kam bere unë që të kem një fëmijë të tillë?

Këto pyetje do të fillojnë të zbehen me rritjen e fëmijës tënd, atëherë kur ta kuptosh se ai është i aftë që vetëm përmes një buzëqeshjeje të ta dhurojë dashurinë e gjithë botës, se ai do t’i gëzohet prezencës tënde e se përmes një fjale e përqafimi do ta largojë barrën tënde mbi supe.

Personat me Down Syndrome janë ëndërrimtarë, e shohin botën pa luftë, pa krime, pa tradhti, pa ligësi; e shohin botën ashtu siç duam ta shohim të gjithë. I vetmi dallim mes nesh edhe personave me Down Syndrome nuk është kromozomi shtesë, as pamja, e asgjë tjetër përpos asaj qe ne i bëjmë pikërisht gjërat që i luftojmë, i bashkëngjitemi luftës, nënçmojmë, dhurojmë urrejtje, e ata nuk i pranojnë këto koncepte, sepse dhurojnë vetëm dashuri, mirësi e ëmbëlsi qe ua flet krejt trupi e shpirti.

Do të doja ta takoja atë mjekun që sapo i tha një nëne: me vjen keq, por fëmija juaj është me Down Syndrome. Dua t’i tregoj se nëse secili njeri në botë do të kishte afër një person me Down Syndrome, bota do të ishte vend shumë më i lumtur.

E, do të doja që mbiemri i zbuluesit të këtij sindromi të mos ishte John Langdon Down, por John Langdon Love. Kështu sindroma do të merrte emrin “Love Syndrome”, sepse miqtë e mi dhurojnë vetëm dashuri.

Exit mobile version