Site icon Telegrafi

Personat me sindromën Down integrohen në punë (Video)

Kafja e tyre ishte më e ëmbël se çdo herë tjetër. Jo pse ata kishin ndërruar lokalin, por shërbimi ishte nga një person i veçantë.

Ishte zgjuar herët me shumë entuziazëm, sepse tërë ditën ishte në shërbim të klientëve, në rolin e kamerierit.

I  buzëqeshur në fytyrë, me hapa të ngadaltë, Arlind Beqiri, anëtar i shoqatës Down Sindrome,  po shërbente  kështu  në njërin nga lokalet e kryeqytetit, raporton RTV Dukagjini.

Ai ka thënë ishte dita më e lumtur e jetës së tij.

Derisa Arlindi shërbente, në këndin tjetër ishte vendosur shoqja e tij Jehona. Por, me një tjetër detyrë.

Ajo ishte në rolin e shitëses së kartolinave dhe produkteve tjera që këta anëtar i krijojnë.

Jehona Grajqevci, ka thënë se kjo punë po i pëlqen shumë.

Dafina Kastrati, ishte njëra ndër klientët që kishte fatin që  të shërbehej nga Arlindi. Ajo ka thënë se ishte kafja më me shije deri më sot, përcjell Telegrafi.

“Sot u shërbeva në mënyrë të veçantë, kur e pashë një persona me Sindromën Down. Ata janë pjesë e shoqërisë sonë, dhe kanë të drejtë të punojnë. Ky vend më pëlqen shumë, por kur i pashë ata persona u ndjeva edhe më e lumtur”, deklaroi  Kastrati.

“Ne krijojmë, nuk mëshirohemi”, është motoja e aktivitetit që Shoqata Down Sindrome, po zhvillon, për integrimin e anëtarëve të saj në punë dhe shoqëri.

Alban Fejza, menaxher i marketingut në këtë shoqatë, ka thënë se do të mundohen çdoherë, që të sjellin aktivitete të tilla që janë në shërbim të këtyre të rinjve.

“Ky lokal ka shprehur vullnet dhe dëshirë që t’i  angazhojë dy anëtarë të shoqatës sonë që janë Lindi dhe Jehona në punë njëditore me pagesë. Ata do të kryejnë punë kafiterie dhe promovimin e produkteve. Aktivitetet tona kanë filluar të shpeshtohen dhe ky muaj i është dedikuar me kafiteri”, deklaroi Alban Fejza.

Që të dy, Jehona dhe Arlindi, do të paguhen me një shumë simbolike, për gjithë punën që e kanë bërë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version