Në Kuvend sot u dorëzua çmimi shtetëror “Meto Jovanovski”, i cili është mirënjohja më e lartë për arritjet afatgjata në fushën e promovimit, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut.
Fitues janë punonjësit e ish-Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Gjorgji Lazarevski dhe Zvonko Kostovski, të cilët zbuluan përgjimet masive ilegale, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Lazarevski dhe Kostovski nga Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit i nxorën “bombat” dhe ia dorëzuan ish-drejtorit të DSK-së Zoran Verushevski. Të dy u arrestuan në shkurt të vitit 2015 si të pandehur në rastin “Puçi” pak pasi lideri i atëhershëm i opozitës Zoran Zaev filloi të publikojë “bombat”.
Kostovski u pajtua me Prokurorinë dhe e pranoi fajësinë, pas së cilës u dënua me tre vjet burg. Lazarevski u deklarua i pafajshëm dhe qëndroi në paraburgim për 11 muaj. Kostovski u lirua nga burgu në prill të vitit 2016, pas faljes nga ish-presidenti Gjorge Ivanov.
Ish-PSP-ja hapi një lëndën “Shënjestra-Fortesa” në të cilën theksohej se në mënyrë direkte dhe indirekte përgjimet kanë përfshirë rreth 20 mijë qytetarë. Rasti përfundoi me aktgjykim në të cilin të akuzuarit, përfshirë ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov dhe ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, u shpallën fajtorë./Telegrafi/