Site icon Telegrafi

‘Personat me nevoja të veçanta janë të diskriminuar nga institucionet’

Maqedonia ka marrë informacion nga 34 prej gjithsej 85 komunat në Maqedoni për pyetjen nëse dhe sa persona me invaliditet kanë punësuar. Pothuajse pjesa më e madhe e përgjigjeve nga vetëqeverisjet më të mëdha lokale janë se në pesë vitet e fundit nuk kanë punësuar persona me hendikep trupor ose intelektual. Në nivelin qendror, pjesa më e madhe e ministrive po heshtin, ndërsa Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë na ka dërguar në Agjencinë e Punësimit, ndërsa prej atje përsëri kemi marrë heshtje, thuhet në hulumtimin e bërë nga Scoop.

Rreth dy dekadash më parë, 40-vjeçari Zoran Jovanovski nga Strumica ka mbetur invalid të përhershëm për shkak të lëndimeve që i ka marrë në një fatkeqësi. Prej atëherë ai është dashur të mësohet në mënyrën e re të jetës, kështu që në vend të këmbëve për të lëvizur përdor një karrocë invalidore. Që nga ai moment tragjik, ai i ka përjetuar të gjitha tmerret në jetë. Në almanakun e tij të betejave janë fotografitë e taksi kompanisë të cilën është dashur ta mbyllte, kështu që ka mbetur pa punë dhe ekzistencë, por edhe fotografitë nga lojërat të shumta sportive në të cilën ka marrë pjesë.

Në sport ka treguar rezultate të konsiderueshme – ka fituar vendin e parë në garën me karrocë invalidore, në hedhjen e diskut, gjyles dhe shtizës, vendin e tretë në qitje me pushkë ajrore, vendin e parë në ping-pong. Në garën ndërkombëtare të paraplegjikës dhe kuadriplegjikës në Serbi ka fituar vendin e tretë në disiplinën e hedhjes së diskut dhe shtizës.

Jovanovski tani është një nga anëtarët e Shoqatës së Personave me Invaliditet Trupor “Mobilnost” nga Strumica. Storja e tij është e ngjashme me shumicat e storjeve të personave mendërisht të aftë, por fizikisht të hendikepuar, të cilët janë me një status të ndryshëm social, kurse dëshirojnë të jenë të barabartë.

Me një pension modest invalidor, Jovanovski thotë se asnjë Qeveri deri më tani nuk ka qëndruar prapa kësaj kategorie të rrezikuar për ta bërë jetën e tyre më të lehtë.

“Tani jetoj në një situatë të pasigurt dhe të paqartë nëse do të më vazhdojnë pensionin, sepse në vendimin që kam marrë shkruan–invaliditet të pamjaftueshëm për të fituar një pension invalidor“, tha Jovanovski.

PA EVIDENCË DHE STRATEGJI

Maqedonia nuk ka një evidencë të saktë për numrin e tyre, e as një regjistër për bursën e specializuar për invalidët që janë të aftë për punë me një aftësi të tërësishme apo të kufizuar pune.

Nuk ka as një strategji të veçantë për krijimin e mundësive të barabarta për punësimin e personave me aftësi të veçanta. Ata mund të gjenden në kapitujt e Strategjisë kombëtare për uljen e varfërisë dhe përjashtimin social 2010-2020. Personat me aftësi të kufizuara nuk janë të ndarë në mënyrë eksplicite si një grup i veçantë qëllimi në këtë dokument.

“Ka shumë keqpërdorime gjatë punësimit në institucionet publike. Unë jam një shembull i vërtetë për këtë gjë. I kam fituar të gjitha pikat në testim, më kanë pyetur nëse jam i punësuar, nëse do të adaptohem në punë. Pastaj më kanë harruar. Qeveria punëson persona të tjerë të cilët nuk janë të përshtatshëm për ato vende pune“, tregon një anëtar i organizatës joqeveritare “Bota në dorë (Svetot na dllanka)“, i cili nuk deshi të publikohet emri i tij.

Një analizë e ankesave të parashtruara deri te Komisioni Kundër Diskriminimit në vitin 2013 tregon se 45 për qind e ankesave kanë të bëjnë me abuzimin gjatë realizimit të së drejtës së punësimit apo pranimit pas shpalljes së publikuar.

Në projektin e fundit për punësimin e 300 personave me hendikep, Qeveria e ka obliguar Ndërmarrjen Publike “Pyjet e Maqedonisë” për të vendosur këta persona nëpër institucione. Sipas të dhënave, 200 prej tyre tashmë janë të punësuar, ndërsa edhe 100 persona të tjerë janë në listën e punësimit.

Tomisllav Ortakovski nga shoqata “Polio Plus”, thotë se institucione të caktuara publike punësojnë persona me hendikep, por pjesa më e madhe jo. Pa një qasje koherente, mendon ai, është e vështirë të pritet një përfaqësim adekuat të personave me hendikep në çdo institucion.

Përveç 300 punësimeve të personave me hendikep në administratën shtetërore dhe publike disa vjet më parë, Ortakovski thotë se shteti nuk ka ndërmarrë hapa të drejtpërdrejtë për rritjen e numrit të personave të punësuar me hendikep në administratë.

“Por është e rëndësishme të theksohet ironia se personat me hendikep janë të përfaqësuar më shumë në administratën sesa në tregun e hapur të punës, duke mos përfshirë kompanitë mbrojtëse“, thotë Ortakovski nga “Polio Plus”.

TË DISKRIMINUAR NGA INSTITUCIONET

“Nuk kemi punësuar persona me aftësi të kufizuara“, – kjo ka qenë përgjigja identike e më shumë institucioneve të nivelit kombëtar dhe lokal, të cilat, megjithatë, i janë përgjigjur pyetjes së SCOOP-Maqedonia – nëse dhe sa persona me hendikep janë punësuar në periudhën 2011-2016 dhe në cilat pozicione janë të angazhuar ata.

Disa institucione nuk kanë dërguar asnjë përgjigje. Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, megjithatë, për përgjigjen e pyetjes na ka dërguar në Agjencinë e Punësimit. Ka kaluar një muaj, por vetëm heshtje prej atje.

Përkundër kërkesave të dërguara sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik deri te të gjitha ministritë, vetëm disa prej tyre janë përgjigjur.

Në sektorët e Ekonomisë dhe Punëve të Jashtme përgjigja ishte e shkurtër – nuk kanë punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një person në vendin e punës “bashkëpunëtori më i ri”, person i cili është marrë nga NP-ja “Pyjet e Maqedonisë”.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave janë përgjigjur se në këtë institucion janë punësuar dy persona me invaliditet trupor – një person është punësuar në vendin e punës “referenti më i ri” për çështjet administrative në Sveti Nikollë, ndërsa tjetri është punësuar në Sektorin e mbështetjes teknike.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale pohojnë se punësohen persona me aftësi të kufizuara, por se nuk mund t’i punësojnë të gjithë.

“Në ministrinë tonë punojnë 12 persona si personal ndihmës-teknik dhe një person tjetër me invaliditet trupor që është punësuar përmes shpalljes publike“, thonë nga kabineti i ministres Frosina Remenski.

Vetëqeverisjet lokale janë një “përrallë të veçantë” në përllogaritjet që janë bërë për përfshirjen sociale-produktive të personave me hendikep.

“Në periudhën e përmendur ne nuk kemi punësuar persona me invaliditet trupor ose intelektual“, është përgjigja që vjen nga Qyteti i Shkupit.

SCOOP-Maqedonia ka marrë informacion nga 34 prej gjithsej 85 komunat në Maqedoni në afatin e paraparë me ligj për të dhënë përgjigje sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik. Pothuajse pjesa më e madhe e përgjigjeve nga vetëqeverisjet më të mëdha lokale janë se në pesë vitet e fundit nuk kanë punësuar persona me hendikep trupor ose intelektual.

Komunat Qendër, Karposh, Manastir, Ohër, Strugë, Kumanovë, Dibër, Berovë, Vinicë, Vevçan, Haraçinë, Probishtip, Shuto Orizarë nuk kanë punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara.

Persona të punësuar me invaliditet trupor dhe intelektual nuk janë evidentuar as në komunat Koçan, Grackë, Bosilovë, Studeniçan.

Për pyetjen se pse nuk janë kujdesur për këtë kategori të rrezikuar gjatë punësimit, kemi marrë pothuajse një përgjigje të unifikuar: “Për këtë gjë nevojitet të sigurohen kushte, për shembull adaptimi i hapësirës, sigurimi i pajisjes që është dedikuar për ta, por edhe mjete shtesë financiare“.

Por ka edhe komuna të cilat me sistemimin e tyre kanë parashikuar dhe kanë punësuar persona me invaliditet. Komuna Kisella Vodë ka punësuar dy persona, prej të cilëve një person është nga grupi i personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar dhe një person është me një prapambetje mendore dhe vështirësi në të folurit.

Komuna e Çairit ka punësuar tre persona, dy prej të cilëve janë me vendim pune, ndërsa një person është punësuar nëpërmjet Agjencisë së Punësimit. Komuna Bogdancë ka një person me hendikep, i cili është punësuar me një marrëveshje huazimi nga NP-ja “Pyjet e Maqedonisë”.

Komuna Gazi Babë ka angazhuar dy persona në vendin e punës “Bashkëpunëtori i investimeve dhe bashkëpunëtori i menaxhimit të projektit dhe analitikës.

Komuna Gorçe Petrov ka punësuar një person me hendikep. Komuna Gjevgjeli gjithashtu ka punësuar një person në Departamentin e punëve profesionale, administrative dhe të përgjithshme me titullin “referenti më i ri për të kontaktuar me qytetarët”.

Komuna Mavrovë-Rostushë ka punësuar një person me aftësi të kufizuara, aq sa komunat Tearcë dhe Qendra Zhupë. Komuna Gostivarka punësuar tre persona, prej të cilëve dy persona me aftësi të kufizuara janë punësuar me Kontratë në kohë të pacaktuar.

KEQPËRDORIME ME “KOMPANITË MBROJTËSE”

Në qershor të vitit 2000 është miratuar Ligji për punësimin e personave me invaliditet. Në bazë të këtij ligji, Ministri i Punës dhe Politikës Sociale ka miratuar një Rregullore të veçantë me të cilën, në kuadër të Entit të Punësimit, formohet edhe një Fond të veçantë për punësimin e personave me hendikep.

Me këtë Fond sigurohen mjete të konsiderueshme financiare për punësimin e këtyre personave me hendikep/aftësi të kufizuara. Por, Fondi i veçantë nuk është i pavarur në vendimmarrjen, siç janë Fondi i Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë (SPIM).

“Për shpërndarjen e mjeteve të Fondit vendos vetë Agjencia e Punësimit në disa takime gjatë vitit. Kjo krijon një ngecje të madhe në shpërndarjen e mjeteve“, thotë Ortakovski nga Polio Plus.
Sipas tij, në përputhje me ligjin ekzistues është krijuar një treg paralel të punës për punësimin e personave me hendikep – kompanitë mbrojtëse.

“Këto shoqata marrin beneficione të mëdha nga shteti për të punësuar persona me hendikep (vetëm një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në kompaninë). Nga ana tjetër, këto kompani janë kompani fitimprurëse, që do të thotë se pronarët e tyre i kanë në dispozicion lirisht të gjitha të ardhurat, duke përfshirë edhe beneficionet e mëdha financiare që mundësohen me këtë ligj“, thotë Ortakovski.

Si rezultat i kësaj, ai mendon se personave me hendikep, të punësuar në këtë mënyrë, shumë shpesh u thuhet që të rrinë në shtëpi dhe çdo muaj t’i kthejnë një pjesë të pagës “pronarit” të tyre.

“Në këtë mënyrë shteti kontribuon për krijimin, ruajtjen dhe përforcimin e konkurrencës jo lojale në sferat në të cilat funksionojnë kompanitë mbrojtëse“, thotë Ortakovski dhe shton: “njësoj edhe si tek “arsimi special”, ky lloj i punësimit në “shoqatat mbrojtëse” paraqet një ndarje të personave me hendikep”.

SHUMË PËRPJEKJE, PAK PROGRES

Rebeka Jankovska Risteska është kryetare e Shoqatës “Na jepni krahë (Dajte ni krila)“, e cila lufton për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Vetë mendimi se personat me aftësi të kufizuara janë në vendin e fundit në shumë segmente, e bën Rebekën që të ndjehet e mjerueshme dhe e dëshpëruar.

Edhe pse lufton në mënyra të ndryshme për të përmirësuar situatën, thotë se te ne gjërat po ndryshojnë ngadalë.

“Në 6 vitet e fundit aq shumë flitej në këtë temë, aq shumë anketa, intervista, debate e ngjashme, por aq pak gjëra kanë ndryshuar“, thotë ajo, duke mos e fshehur dëshpërimin nga sjellja e shoqërisë dhe institucioneve ndaj kësaj kategorie.

Përjashtim, sipas Rebekës, është vënia e ilaçeve për sëmundjet e rralla në listën pozitive. Por, ajo shton se edhe këtu janë paraqitur disa probleme serioze rreth sasisë dhe furnizimit të rregullt të të njëjtave.

Ajo thotë se ka filluar procesi i përfshirjes së këtyre personave në shkollë, por pa zgjidhje konstruktive. “Ka qasje, por ajo nuk është e mjaftueshme. Shtojca e veçantë është e dëshpërueshme dhe nuk dua të komentoj për teknologjitë ndihmëse, pajisjet ndihmëse ortopedike dhe gjendjen e personave me hendikep të cilët nuk kanë prindër ose kujdestarë”, thotë Rebeka Jankovska Risteska.

Edhe pse të padukshëm për institucionet, personat me aftësi të kufizuara nuk heqin dorë nga kërkesa për pak më shumë vëmendje. Heroi ynë nga fillimi i storjes, Zoran Jovanovski, në fund vetëm qetë e pyeti veten – si të ndaj një pension për dy goma të reja të karrocës invalidore?

“As paratë nuk janë të mjaftueshme, as pa karrocë nuk udhëtohet nëpër rrugën e jetës”! /Telegrafi/

Exit mobile version