Site icon Telegrafi

Personat nën 18 vjeç më të prekurit nga Leukemia akute

Mungesa e një Spitali të Leukemisë dhe trajtimi jo i mirë i kësaj sëmundje në Kosovë, po bënë që shumë qytetarë të kërkojnë shërbime jashtë vendit. Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, janë 30 raste që kanë aplikuar për shërim jashtë institucioneve shëndetësore

Në një përgjigje me shkrim nga Fondi i Sigurimit Shëndetësore, gjatë vitit që lamë pas kanë aplikuar 116 persona për të kërkuar shërim jashtë institucioneve shtetërore, ku kostoja e shpenzimeve ishte rreth pesë milionë euro. Ndërsa, vetëm këta tre muajt e parë janë 30 raste që kanë aplikuar për shërim jashtë institucioneve shëndetësore me kosto të shpenzimeve mbi 750 mijë euro.

“Në Fondin e Sigurimit Shëndetësore, në kuadër të programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike (TMJIShP) gjatë vitit 2021, kemi pranuar 116 aplikacion të rasteve të diagnostikuar me Leukemi Akute dhe kostoja e këtyre rasteve ishte 4.755.031,00, ndërsa nga janari i vitit 2022 e deri më tani kemi pranuar 30 raste dhe kostoja e shpenzimeve është 750.924,00 euro. Personat me Leukemi akute më së shumti marrin shërbim shëndetësor në shtetin e Turqisë, nganjëherë edhe në vendet tjera të perëndimit”.

Nga të dhënat e Fondit të Sigurimit të Shëndetësisë, personat me moshë nën 18 vjeç rezultojnë që kanë qenë më të prekurit nga Leukemia akute.

Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacienteve në Kosovë, ka thënë që Ministria e Shëndetësisë, duhet ta ketë një studim të kostos së pacienteve, për ta shikuar nëse trajtimi mund të bëhet në Kosovë.

“Ministria e Shëndetësisë duhet ta ketë një studim, shembull sa është kostoja e trajtimit të një pacienti ose gjithë pacienteve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, dhe a ka lëverdi që ai trajtim të bëhet këtu…Në qoftë se nuk ka leverdi të tillë, atëherë trajtimi duhet të vazhdojë jashtë, në qoftë se ka, atëherë gjithsesi duhet të ndërtohet një institucion i cili i trajton këto raste. Unë shoh shumë shërbime tjera të cilat janë më pak të avancuara, të cilat mund të bëhen në Kosovë dhe të kursehet buxheti për trajtim jashtë vendit, në mënyrë që këta pacientë ta marrin këtë buxhet dhe të shkojnë të trajtohen në vendet ku ka një trajtim të dinjitetshëm për ata. Për shkak se leukemia kërkon një trajtim shumë profesional, është shumë e shtrenjtë dhe gjithsesi duhet të kemi një analizë të saktë se si duhet veprohet me këtë punë”, tha ai.

Ai ka shtuar se trajtimi me leukemi nuk mund të bëhet i mirë në Kosovë për shkak se është shumë profesional, e po ashtu problem është edhe lista esenciale e barnave.

“Realisht trajtimi nuk mund të themi që mund të bëhet i mirë këtu, gjithsesi duhet një trajtim jashtë, për shkak se është shumë profesional. Klinikat nuk i kanë gjitha kapacitet për t’i trajtuar këta pacientë, d.m.th. shumica e pacienteve me leukemi janë duke u trajtuar jashtë… Lista e barnave esenciale është gjithmonë problem, nuk përmbushet edhe për sëmundjet e tjera, madje edhe për këto të leukemisë”, tha ai.

Nga zyra e informimit të MSH kanë thënë për KosovaPress, se sëmundjet malinje në Kosovë trajtohen në klinika të ndryshme, ndërsa leukemitë te fëmijët kanë kaluar për trajtim në Spitalin e ri pedriatik-kirurgjik në QKUK.

“Sëmundjet malinje në Kosovë trajtohen në shërbime e klinika të ndryshme, varësisht prej natyrës së saj dhe intervenimeve që bëhen, përfshirë këtu trajtimin kirurgjik, kimioterapinë, radioterapinë, brahiterapine dhe intervenimet e tjera aplikative. Leukemitë te fëmijët trajtohen në repartin e Hematoonkologjisë që tashmë ka kaluar në Spitalin e ri pediatrik-kirurgjik në QKUK, ku ekziston infrastruktura më e re për trajtimin e integruar të sëmundjeve tek fëmijët. Leukemitë tek të rriturit trajtohen në Hematologji (klinika interne-QKUK) dhe në shërbime të tjera të kujdesit dytësor”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Sa i përket ndërtimit të një Spitali për leukemi, në MSh kanë thënë që Ministria e Shëndetësisë, është për të mbështetur nisma që përmirësojnë kujdesin shëndetësor të pacienteve dhe se çdo propozim që marrin, analizohet nga aspekti profesional, financiar dhe përputhshmëria me objektivat që ka sektori.

“MSh është për të mbështetur nisma që përmirësojnë kujdesin shëndetësor të pacientëve me sëmundje malinje, të bazuara në dëshmi shkencore. Një nga prioritetet është përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor, derisa çdo propozim që vjen, analizohet edhe nga aspekti profesional, financiar dhe përputhshmëria me objektivat që ka sektori”.

 

Exit mobile version