Telegrafi

Personat me kombësi shqiptare, tani mund të blejnë prona në Shqipëri

Aktualisht, ligji pengon blerjen e pronave nga individët me këtë status.

Nisma më e fundit e qeverisë ka për qëllim të nxisë investimet e shqiptarëve në vendin e tyre, raportohet nga Ministria e Bujqësisë, për agjencinë e lajmeve NOA.

Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, shpjegon draftin i cili është bërë gati për miratim në qeveri.

“Tregu i pronës është i kufizuar, ndaj ne duam të thithim sa më shumë kapitale të fjetura nga shqiptarët tanë që kanë emigruar herët apo vonë. Çdo kapital i tyre është mirë që të vihet në qarkullim ekonomik, pasi i shërben jo vetëm individëve por edhe shoqërisë”- shprehet Gjana.

Bëhet fjalë për ata individë që kanë marrë shtetësi të huaj në vendet ku jetojnë, por kanë kombësi shqiptare, të cilët pas miratimit të këtij ligji kanë të drejtë të blejnë toka bujqësore, pyje apo livadhe në vendin e tyre.

Kjo praktikë është edhe një detyrim i Bashkimit Evropian, drejt të cilit po shkojmë.

Por problemet e pronësisë dhe mungesa e titujve kanë qenë shkaku kryesor i cili ka stepur të huajt të investojnë në Shqipëri.

Pa i dhënë zgjidhje këtij problemi nisma e shit-blerjes së tokave nuk pritet të ketë efektet e parashikuara.